Ngjarje

Policia: Sistemi TIMS ra, por jo nga pastrimi i inerteve të Teatrit

Policia e Shtetit konfirmon lajmin se sistemi TIMS ka dalë jashtë funksionit si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, por thotë se kjo ka qenë pasojë një defekti elektrik dhe jo nga këputja e kabllove nga fadromat që po pastrojnë inertet që mbeten pas nga prishja e godinës së Teatrit Kombëtar.

Dalja jashtë kontrollit e sistemit TIMS, serverat e të cilit janë të vendosur në godinën e Ministrisë së Brendshme, pra pak metra larg godinës së rrënuar të Teatrit Kombëtar, u pasqyrua në media, që e lidhën atë me këputjen e kabllove elektrikë të serverave dhe ushqyesve të energjisë elektrike gjatë aksionit të fadromave të IKMT-së në truallin e Teatrit Kombëtar.

“Sqarojmë se në datë 23.05.2020, në orët e para të mëngjesit, si pasojë e mungesës së energjisë elektrike për shkak të një defekti, sistemi TIMS, për një kohë të shkurtër, doli jashtë funksionit. Menjëherë pas riparimit të defektit në rrjetin elektrik të zonës, po në orët e para të mëngjesit të datës 23.05.2020, sistemi TIMS është vënë në punë dhe vijon të funksionojë normalisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në strukturat e tjera të Policisë së Shtetit”, thuhet në një reagim të Policisë së Shtetit.

Në një pjesë të mediave dalja jashtë funksionit e këtij sistemi është hamendësuar si liri hyrjeje për elementë kriminalë në vend. Por, Policia e Shtetit e mohon këtë.

“Theksojmë faktin se në Pikat e Kalimit Kufitar nuk është shfaqur asnjë problematikë, pasi kufijtë janë të mbyllur dhe në orën që kishte defekt sistemi, nuk ka patur lëvizje personash. Policia e Shtetit, aplikon regjistrimin manual të personave në çdo rast që sistemi mund të shfaqë probleme, duke bërë verifikim të thelluar të të dhënave, bazuar në listat e personave në kërkim, të cilat janë në dispozicion të punonjësve të Policisë në çdo DVP dhe Pika Kalimi Kufitar”, vijon njoftimi.

Policia e Shtetit i cilëson lajme të rreme dhe fushatë e pandërprerë dashakeqe nga persona të caktuar për të përbaltur punën e saj në luftën kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë në tërësi.

Më Shumë