Ngjarje

Fotografia e rreme e policisë që "shpëtoi" 4 alpinistët

Policia e Shtetit akuzohet nga një komentues në faqen e saj zyrtare në Facebook se ka përhapur një lajm të rremë në lidhje me një operacion shpëtimit të katër alpinistëve në malin e Gramozit.

“Në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kolonjë, është marrë një telefonatë sipas të cilës 4 alpinistë që kishin lënë mjetin e tyre tip "Ford", në fshatin Starje dhe ishin nisur për të ngjitur malin e Gramozit, mund të kishin mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, në drejtim të zonës, u nisën shërbime të Komisariatit të Policisë Kolonjë dhe Stacionit të Policisë Kufitare Shtikë, të Emergjencave Civile, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Shtetit.

Komunikata vazhdon duke sqaruar se pas disa orësh kërkime policia ka bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e katër alpinistëve në gjendje të mirë shëndetësure. Ata ishin ngjitur në lartësinë 2523 metra, në majën “Çuka e Peçit” të Malit të Gramozit dhe sipas policisë, kishin hasur vështirësi gjatë kthimit.

Policia thotë se alpinistët kanë falenderuar shërbimet e policisë dhe disa banorë që iu erdhën në ndihmë. Deklarata mbyllet me fundin e lumtur, sipas të cilit “policia ka bërë shoqërimin e tyre në vendin ku u akomoduan në qytetin e Ersekës”.

Por a është kjo e vërteta? Sipas komentuesit Ervin Xhakolli, që pretendon se është njëri prej grupit të alpinistëve që “shpëtoi” Policia e Shtetit, jo.

“Më vjen keq që keni publikuar këtë lajm të rremë, pasi ne nuk kemi humbur dhe nuk na keni shpëtuar nga asgjë. Policët na kërkuan të bënim një foto në mënyrë shoqërore pasi në bëmë ekspeditë dimërore në Malin e Gramozit në kushte ekstreme dhe ju siguroj, policët tuaj nuk e kanë atë nivel sa të arrijnë dhe të shpëtojnë njerëz në ato kushte. S’i lë barku dhe rakia që pijnë lokaleve. Më vjen keq që flas kështu, por keni gënjyer në mënyrë të turpshme. Ju lutem përgënjeshtrojeni këtë lajm, pasi keni përdorur imazhet tona dhe keni shqetësuar gjithë familjarët tanë”, shkruan ai.

Përveç këtij komenti që përgënjeshtron Policinë e Shtetit, Xhakolli ka shpërndarë edhe në Facebook-un e tij këtë postim, me shënimin që “Policia gënjen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë