Drejtësia

Policia operacion në Shkodër, sekuestron 65 kg marijuanë në formë çokollate, kanabis dhe municion ushtarak

Nga Gazeta Si- Policia ka kryer një operacion në Shkodër ku janë goditur 11 raste të tentativave për të kultivuar kanabis në vende të ndryshme të territorit të qarkut Shkodër.

Për 11 raste janë evidentuar dhe asgjësuar 19300 fidanë kanabis të kultivuar në kubikë, vazo dhe në tokë, në Malësi të Madhe, Vau i Dejës, Njësitë Adminsitrative të Bashkisë Shkodër, dhe janë sekuestruar 2160 fara kanabisi.

Po në zbatim të planit operacional kombëtar “Territor i pastër” dhe “Tempulli 2”, gjatë orëve të fundit është siguruar informacion për një tentativë për trafikim të një sasie të konsiderueshme e dyshuar marijuanë të përpunuar në formë çokollate dhe në formë boçeje.

Policia ka ndërhyrë në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër në një ambient të përshtatur me tunel për të fshehur lëndën narkotike dhe gjatë kontrollit në tunel kanë gjetur dhe sekuestruar 65.5 kilogramë marijuanë të përpunuar në formë çokollate. Në vijim të operacionit në brendësi të një automejti tip furgon të parkuar afër të këtij ambienti, u gjetën dhe u sekuestruan 31.5 kilogramë kanabis në formë boçe dhe një sasi municioni luftarak.

Në momentin e ndërhyrjes nuk janë konstatuar personat e dyshuar por nga hetimet paraprake është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve si autorë të dyshuar të këtij rasti dhe konkretisht shtetasit N. M., 42 vjeç dhe B. M., 37 vjec, lindur në fshatin “Ura e  Shtrenjtë” dhe banues në Shkodër, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre.

Po nga hetimet rezulton se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe një grup personash të tjerë dyshohet se janë implikuar në aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së kanabisit në qarkun e Shkodrës.

Gjatë katër mujorit të parë të këtij viti janë evidentuar dhe asgjësuar rreth 51 mijë fidanë kanabis, baza logjistike për rastet e evidentuara, janë sekuestruar rreth 10 mijë fara, 170 kilogramë kanabis, e sende të tjera që shërbenin për kultivim, dhe prodhime shitje të tij.

“Janë arrestuar, ndaluar e proceduar 61 shtetas ndërkohë që vijojnë hetimet e thelluara për dhjetëra shtetas të tjerë dhe grupe kriminale për rastet e evidentuara gjatë kësaj jave”, u than në njoftimin e  policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë