Ka ndodhur

Policia nga nesër aksion kundër taksive që punojnë në të zezë

Policia e Shtetit do të ndërmarrë një operacion kundër informalitetit në transportin rrugor, për të goditur individët që punojnë në këtë sektor me makina personale, pa asnjë shenjë dalluese dhe duke shmangur taksat e tarifat.

“Kundër të gjitha atyre mjeteve private që shërbejnë si taksi, Policia e Shtetit do të ketë një aksion për automjetet private që hapin dyert për transport publik. Do ta marrim shumë seriozisht. Do ta bëjmë me “grusht të hekurt”, do të ndalojë njëherë e mirë i gjithë transporti i paligjshëm, që afekton negativisht transportin”, tha ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku .

Ajo premtoi se aksioni do të ndërmerret me “grusht të hekurt” kundër informalitetit në këtë sektor.

Deklarata u bë gjatë një takimi me përfaqësues të kompanive të transportit publik, ku të pranishëm ishin edhe ata të transportit qytetas. Këta të fundit kërkuan lehtësi, që nga ulja e TVSH në dalje, deri te taksa e qarkullimit.

Sipas këtyre kompanive, që prej ditësh kanë nisur protestat përmes përgjysmimit të flotave të autobusëve në Tiranë, Vorë dhe Kamëz fitimet nuk mbulojnë kostot e operimit dhe paralajmërojnë se nëse kërkesat nuk merren parasysh do të reduktojnë në 20 për qind kapacitetet e tyre.

Shoqata e Transportit Urban ka paralajmëruar gjithashtu edhe mundësinë e rishikimit me rritje të çmimit të biletave për qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë