Ngjarje

Policia kundër grupeve “Radar” që shmangin policinë në rrugë

Policia e Kosovës arrestoi këtë të mërkurë dy persona të dyshuar se krijues të grupit “Radar” në aplikacionin Viber, të përdorur nga mijëra njerëz për të shmangur kontrollet e policisë. Vetëm muajt e fundit rreth 7.000 njerëz ishin bashkuar me një grup, anëtarët e të cilëve dërgonin informacione për njëri-tjetrin rreth vendndodhjes së policisë rrugore në kohë reale. Policia deklaroi se telefonat e dy të dyshuarve u konfiskuan me urdhër të prokurorit dhe ata u liruan pas një interviste në paraburgim.

Por, arrestimi në Kosovë nuk do të thotë se ky është fundi i "çmendurisë". E njëjta teknikë e përdorur nga grupi i Viberit në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më popullor edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Shumë grupe janë ngritur kohët e fundit në Viber dhe në Whatsup, ku shoferët mund të paralajmërojnë njëri-tjetrin për patrullat e policisë.
Bosnja ishte një tjetër vend ku shoferë të shumtë ishin pjesë e këtij grupi dhe informonin njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës. Sipas të dhënave nga një portal lajmesh në Bosnjë, rreth 15.000 anëtarë të grupeve në Viber i dërgojnë njëri-tjetrit informacione për kushtet e rrugës, aksidentet, përplasjet e trafikut, si dhe patrullat e policisë dhe kontrollet e radarëve.

Përgjithësisht shoferët në Ballkan nuk janë të kujdesshëm, kështu që patrullat e policisë janë të zakonshme. Edhe në Serbi, shoferët po përdorin aplikime të ngjashme për të informuar njëri-tjetrin rreth patrullave të policisë. Damir Okanoviç, anëtar i Komiteti Kombëtar të Sigurisë së Transportit, thotë se qëllimi kryesor është që shoferët të ngadalësojnë shpejtësinë, përpara se policia t’i kontrollojë dhe t’i ndëshkojë ata.
"Nëse shoferi ul shpejtësinë kur sheh policinë ose sepse dikush i tregon atij se ka një patrullë policie, nuk përbën problem që njerzit të paralajmërojnë njëri tjetrin. Është e rëndësishme që të mos shkaktohen aksidente dhe të shmangen sa më shumë ngjarjet tragjike në rrugë,” shkroi ai në blogun e tij të titulluar “Autoblog”. Ndër të tjera ai është shprehur se dyshon që duhet të ndalohen aplikime të tilla nëpër grupet e rrjeteve sociale./BIRN/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë