Ka ndodhur

Policia e Shtetit bën bilancin për shtatorin: 83 operacione, 937 të arrestuar

Policia e Shtetit ka bërë bilancin e muajit shtator, gjatë të cilit janë finalizuar 83 operacione policore, nga të cilat u vunë në pranga 937 persona.

“Megaoperacioni policor i koduar ‘NEVER FORGET’ bëri të mundur zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale kundër personit e pronës, të ndodhura më parë, brenda dhe jashtë vendit (6 vrasje, 5 shkatërrime me eksploziv të pronës, 2 vjedhje me dhunë, 3 sigurime të kushteve/mjeteve për të kryer vrasje dhe 1 kanosje të punonjësve të Policisë). Profesionalizmi dhe konspiracioni i specialistëve të strukturave hetimore dhe operacionale të Policisë së Shtetit, si dhe të grupeve hetimore të Prokurorisë, mundësuan identifikimin e 16 autorëve të këtyre rasteve (shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore), si dhe ekzekutimin e 12 urdhrave për ndalimin e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa nga kontrollet e kryera nga Vermoshi në Konispol, janë asgjësuar mbi 60 mijë bimë kanabisi, drogë, armë dhe municion luftarak.

Nga puna e Policisë Rrugore janë vënë në pranga 222 drejtues mjetesh, nga të cilët 130 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 92 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Ndërkohë, janë pezulluar 499 leje drejtimi, nga të cilat 356 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 78 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 65 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

“Shërbimet e Policisë Kufitare kanë ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të e vendit. Kontrollet e bazuara në analizat e riskut, kanë garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurt të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve. Këto shërbime kanë konstatuar dhe goditur: 48 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 10 raste të mosdeklarimit të të hollave, 9 raste të përdorimit të dokumenteve false, 9 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshme dhe 6 raste të trafikimit të mjeteve motorike’, vijon më tej njoftimi i policisë.

Ndër të tjera, Policia e Shtetit thotë se është e angazhuar për të parandaluar ngjarjet kriminale, për të zbardhur ato që janë kryer më parë, për të finalizuar megaoperacione dhe operacione kundër veprimtarive kriminale, për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetasit që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë