Ngjarje

Protesta “guerrile” në Tiranë; Rama “merr në mbrojtje” Veliun

Pas dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, dita e tretë e protestës së dhunshme të të rinjve të thirrur përmes rrjeteve sociale kishte objektiva të reja. Këtë herë, protestuesit kërkonin “kokën” e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Protesta ishte thirrur në orën 18:00 para Kryeministrisë. Po në këtë orë, Rama njoftonte se do të takonte efektivët e policisë të lënduar në dy netët e para dhe që po kuroheshin në QSUT. Në këtë vizitë shoqërohej pikërisht nga Ardi Veliu. Por, Ardi Veliu duket se është “vija e kuqe” e vendosur nga Rama. Në komunikimin për mediat, Kryeministri akuzoi se pas dhunës qëndronin persona të paguar nga partitë e opozitës, Sali Berisha, Presidenti Ilir Meta dhe sidomos LSI.

"Policia e Shtetit nuk është një lukuni e mbledhur me lekë dhe e nxitur nga ai Presidenti i Republikës, që ende nuk e ka dënuar dhunën, por del edhe një orë përpara lajmit se po i vjen fundit i botës dhe inkurajon lukuninë duke venë gishtin mbi policinë. Ai dhe ish-President që është krenar se ka vrarë njerëz dhe i vjen keq që nuk ka vrarë edhe më shumë janë nxitësit e dhunës. Një parti politike dhe kjo është parti e Presidentit të përdorë minorenët për të vënë nën hu dhe zjarr kryeqytetin e vendit”, tha ai.

Në kohën që Kryeministri bënte këto komente nga QSUT, përballë Kryeministrisë ishin mbledhur dhjetra protestues. Përballë tyre qëndronin po dhjetra policë, përfshirë edhe mjetet me topa uji që ishin vendosur në anë të godinës. Situata dukej e qetë deri rreth orës 18:30 minuta, kur protestës iu bashkuan përmes Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” një grup protestuesish të tjerë.

Ende pa u bashkuar me pjesën tjetër të protestuesve, këta të fundit nisën të qëllojnë me gurë dhe sende të tjera të forta vijën e parë të mbrojtjes së vendosur nga Policia e Shtetit. Vija e parë u tërhoq në anën e djathtë të Kryeministrisë, duke i hapur rrugë daljes në bulevard të FNSH-së dhe një makine të pajisur me top uji, që shpërndan protestën.

Në kaos e sipër, protestuesit tërhiqen më në veri drejt urës që ndërpret Unazën e Vogël të kryeqytetit. Pas disa minutash në këtë zonë, ku u bllokua edhe trafiku protestuesit nisën në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Kjo e fundit duket se kishte ndryshuar strategji, ndoshta edhe duke “zënë mend” nga forma e protestës “pa kokë” dhe kaotike e dy netëve të para. Ndryshe nga e mërkura dhe e enjtja, forcat e Policisë, si FNSH dhe Shqiponjat nuk ishin të përqëndruara në numra të mëdha, por të ndara në grupe më të vogla në ndjekje të protestuesve.

Në kohën që një turmë përplasej tek Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, një grup shfaqet në Rrugën “Ismail Qemali” pranë Kryesisë së Kuvendit. Ndonëse në numër më të reduktuar tek Kryeministria, forcat e policisë nuk u kapën në befasi. Me gaz lotsjellës dhe top uji ato arritën që të sprapsin protestuesit.

E gjithë protesta ishte një lojë “macja me miun” janë angazhuar rreth 1500 efektivë policie. Protesta pati edhe në Fier, Durrës dhe Pogradec, por që përgjithsisht ishin paqësore.

Ka nisur me tension dhe dhunë protesta e radhës për vrasjen e Klodjan Rashës. Përballë Kryeministrisë, gurë dhe shashka janë hedhur nga protestuesit drejt forcave të policisë.

Janë rreth 1500 efektivë policie të angazhuar në këtë protestë. Policia ka tentuar ta shpërndajë turmën me anë të ujit dhe gazit lotsjellës. Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tashmë nuk ka më protestues, ata janë zhvendosur në ish-Bllok, te Drejtoria e Policisë dhe rrugët e Tiranës. Protestuesit më pas janë shpërndarë nëpër rrugica, ndërkohë që ka edhe disa të shoqëruar nga policia.

Është dita e tretë e protestave dhe protestuesit kërkojnë largimin drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për të cilin kryeministri Edi Rama ka thënë se nuk mund të ndodhë. Sipas tij, protestuesit ta harrojnë se largimin e Veliut. Më parë ka dhënë dorëheqjen ministri Lleshaj pas asaj që ndodhi me Rashën.

Protesta ka pasur edhe në disa qytete të tjera të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë