Policia e Shtetit u bën apel qytetarëve që të bëjnë kujdes duke mbrojtur fëmijët nga një lojë online që po qarkullon me emrin “Jonathan Galindo” dhe që mund t’i çojë deri në vetëvrasje.
Loja e re virtuale “Jonathan Galindo” vjen pas disa lojërave virtuale siç kanë qenë “Balena Blu” dhe “Momo”.
Sipas policisë kjo lojë, duke përdorur imazhe të ndryshme të “Cursed Goofy” iu dërgon mesazhe grave dhe fëmijëve nëpërmjet platformave të mediave sociale, duke i pyetur ata nëse dëshirojnë të luajnë një lojë, duke iu referuar sfidës së Balenave Blu, e cila ka ngjashmëri me sfidën “Momo”.
Policia vijon më tej duke thënë se loja bëhet akoma dhe më e frikshme, pasi shkakton ndryshime ekstreme në zakonet e fëmijëve, tek të ngrënit apo të gjumit dhe në rastet ekstreme ata përdorin veshje të gjata që mbulojnë mirë pjesët e trupit me qëllim që të fshihen vetëdëmtimet trupore.
“Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal.
Nëse personat të cilët kanë marrë mesazhet do të pranojnë të luajnë, kjo sfidë mund të zgjasë 50 ditë me 50 sfida të ndryshme dhe si përfundim sfida e fundit mund t’i çojë deri në shkaktimin e vetëvrasjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se personazhi “Jonathan Galindo” aktualisht është i paidentifikuar, por profili i parë i përdorur për këtë qëllim vjen nga platforma sociale “TikTok”, në vjeshtën e vitit 2019.
Aktualisht, sipas të dhënave që Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike disponon, personat më të prekur janë fëmijët e moshave nga 10 deri në 18 vjeç, të cilët bëjnë pjesë dhe në grupet më të prekshme të shoqërisë.
Lajmi i mirë është se deri tani në Shqipëri, sipas Policisë së Shtetit nuk është evidentuar asnjë rast i tillë. “Sqarojmë opinionin publik se deri më tani Njësia ‘C’ për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit nuk ka evidentuar asnjë rast të tillë në Republikën e Shqipërisë dhe njëkohësisht bën thirrje për çdo shtetas që beson apo dyshon se gra apo fëmijë ndodhen në situatë të një rreziku të tillë, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



