Rend dhe Ligj

Polici i grupit të Treblovës dhe lidhja me Habilajt e Tahirin

Në ditët e para të tetorit të 2016-ës, një aksion i Policisë së Shtetit në fshatrat e Vlorës zë në befasi një grup të strukturuar kriminal, i cili kultivonte dhe trafikonte lëndë narkotike, kryesisht hashash. Aktivitetin, sipas dyshimeve dhe akuzës së Prokurorisë e kryente nën bekimin e drejtuesëve kryesorë të uniformave blu në Qarkun e Vlorës dhe të Fierit.

Shtatë persona përfunduan në pranga brenda pak muajve, mes të cilëve edhe shtetasi Taulant Haxhiraj. Ky i fundit konsiderohej si koka e grupit. Policia tha se në këtë aksion ishin asgjësuar rreth 10 mijë bimë narkotike në proces tharjeje në disa magazina dhe ishin sekuestruar 2.4 tonë hashash gati për t’u trafikuar.

Sasia rekord e drogës bëri bujë në media dhe lajmi i operacionit u përhap me shpejtësi. Prokuroria thelloi hetimet. Nga përgjimet telefonike organi i akuzës dyshoi se grupi i Haxhirajt, që merrej me kultivimin e kanabisit në zonën mes fshatrave Vranisht e Treblovë, kishte lidhje me zyrtarë të policisë.

Mes emrave që dolën fillimisht në këto përgjime ishte edhe ai i Renaldo Avdulit, ish-oficer në Komisariatin e qytetit bregdetar. Dyshimet e prokurorisë ishin se Avduli jo vetëm që ishte pjesë aktive e grupit të strukturuar kriminal, që më vonë mori emrin si grupi i “Treblovës”, por kishte edhe vetë një parcelë të mbjellë me hashash.

Skema e përdorur nga ky grup ishte e mirëmenduar. Me sinjalizimin e ish-anëtarëve të policisë, ata gjenin toka shtetërore, ose të lëna djerr në zonat e thella të fshatrave të Vlorës dhe aty kultivonin drogën. Grupi përbehej nga Taulant Haxhiraj, Shkëlqim Kociaj, Marjus Bajrami dhe Xhovalin Baco.

Në tabulatet telefonike, prokuroria dyshon se ish-oficeri i policisë, Renaldo Avduli thirrej me emrin Reni dhe në një bisedë me një person tjetër, Taulant Haxhiraj e cilëson atë “frikacak”. Haxhiraj vetë mori 9 vite burgim në përfundim të gjykimit, ndërkohë që me burg u dënuan edhe Shkëlqim Kociaj, Marjus Bajrami dhe Xhovalin Baco.

Bime hashashi ne proces tharjeje te sekuestruara gjate aksionit te policie ne Treblove te Vlores

Përgjimet e prokurorisë për Renaldo Avdulin nuk bindën Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda që ta hetonin atë si pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal, ndaj shpalli moskompetencën dhe urdhëroi transferimin e dosjes në gjykatën e Vlorës.

Prokuroria ishte e bindur në dosjen e saj se Taulant Haxhiraj siguronte mbrojtje për grupin e tij, duke shfrytëzuar lidhjen që kishte me Renaldo Avdulin dhe efektivë të tjerë policie. Prokurorët thanë se nga hetimet dhe transkripti i një bisede telefonike të kryer më 7 gusht 2016 mes Haxhirajt dhe Avdulit, dalin në pah përpjekjet e punonjësit të policisë që Taulant Haxhiraj të mos binte pre e një agjenti të infiltruar.

“Po erdhi ndonjë nga Kruja atje mos e qas as për kafe as për tutje. Nonji i panjohur krutan”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria dyshonte se biseda lidhej me përpjekjen për të infiltruar një agjent të policisë si blerës kokaine dhe kanabisi brenda grupit të Haxhirajt. Këmbënguljes së Taulant Haxhirajt për të mësuar arsyet, Avduli i është përgjigjur: “Mos e qas thashë se është nga tanët…”.

Por, në pamundësi për të ankimuar këtë vendim, prokurorët zbatuan urdhrin dhe çështja në ngarkim ndaj ish-policit u transferua në Vlorë me një zbutje të konsiderueshme të akuzës.

Lidhja e grupit të Treblovës me Habilajt

Dosjet e dy grupeve janë hetuar e gjykuar më vete, por në mjaft pika hetimet e Prokurorisë provojnë se aktiviteti i dy grupeve kryqëzohet përmes një bashkëpunimi të ngushtë. Pikat kyçe që përforcojnë dyshimet e prokurorisë në këtë bashkëpunim janë ish-punonjësit dhe drejtuesit e Policisë së Vlorës, të shpallur në kërkim.

Moisi Habilaj i arrestuar ne Itali

Njëri prej tyre është është Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Vendore të Policisë së Vlorës. Kohila dhe Avduli kanë lidhje të fortë miqësie me njëri-tjetrin, ndërkohë që së bashku me të në kërkim u shpallën edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, dhe ish-shefi i stacionit të Policisë Kufitare në Dhërmi, Sokol Bode.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se grupi i “Treblovës” vepronte nën udhëzimin e grupit të Habilajve. Taulant Haxhiraj dhe bashkëpunëtorët e tij përkujdeseshin edhe për parcelat me kanabis të Moisi Habilajt.

Në bazë të këtyre përgjimeve dhe të provave të tjera të mbledhura nga ana e prokurorëve, grupi i “Habilajve” ishte ai që shërbente si “umbrellë” mbrojtëse për grupin e Haxhirajt dhe me kapjen e 4 tonëve hashash në fshatin Babicë, dyshimet janë se, si grupi i Haxhirajt në zonën e Vlorës kanë operuar edhe grupe të tjera, që kultivonin hashashin kryesisht për llogari të Habilajve.

Si pjesë e grupit të Habilajve, paralelisht me hetimet e palës italiane në Katanina, Prokuroria për Krimet e Rënda në Tiranë dorëzoi për gjykim dosjen në ngarkim të nëntë personave. Mes të akuzuarve janë edhe vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj. Moisi Habilaj u arrestua nga policia italiane, ndërkohë që mes emrave ra në sy edhe Nazer Seiti. Ky i fundit cilësohej si “financieri” i grupit nga ana e prokurorëve. Ai ishte njeriu që mbante i llogarive, por pavarësisht se po hetohej në Shqipëri, ai u ekstradua për në Itali, ku kërkohej gjithashtu.

Ekstradimi i tij përshkallëzoi akuzat e politikës. Opozita akuzoi se Seiti u dërgua në Itali në kundërshtim të plotë me ligjet dhe e gjitha për të shpëtuar ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin.

Ish ministri i Brendshem Saimir Tahiri, duke hyre ne Prokurorie e Krimeve te Renda, ku eshte thirrur te deshmoje ne lidhje me dosjen “Habilaj”

Dosja në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm është ndarë më vete nga dosja “Habilaj” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Prokuroria mbylli së fundmi hetimet pas disa shtyrjeve maratonë dhe dorëzoi dosjen për gjykim.

Vetë Saimir Tahiri u njoh me akuzat kundër tij dhe në komentin e parë që bëri akuzoi organin e akuzës se po komandohet nga politika dhe krimi. Tahiri tha gjithashtu se akuzat ishin aq të rënda, saqë e krahasoi veten me Aldo Baren.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë