Dosje

Policët grekë i shitën pasaportë false porositësit të vrasjes së komisarit Artan Cuku

Porositësi i vrasjes së komisarit Artan Cuku në Tiranë, kishte arritur të fshihej në Greqi nën një emër të rremë, falë pajisjes me një ID false të siguruar nga një grup që përbëhej nga policë grekë.

Mediat në Athinë, kanë zbardhur detaje të reja nga dosja e pajisjes me pasaporta false greke të kriminelëve të ndryshëm, mes tyre edhe shqiptarë.

Gazeta “Kathimerini, shkruan se në prill të vitit 2020, krimineli shqiptar, Bledar Jambelli, me pseudonimin “Ricardo Muho” dhe aktivitet kriminal në Spanjë dhe Greqi, u kap për një rast të madh të goditjes së cigareve kontrabandë.

Bëhet fjalë për një tjetër personazh të botës së krimit, i cili përdorte mjete identifikimi të siguruara nga ky rrjet, ku të përfshirë ishin edhe zyrtarë policie.  

Bledar Jambelli, 38-vjeç, akuzohet si porositësi i vrasjes së komisarit të policisë Artan Cuku në Tiranë në vitin 2017, i cili aktualisht ndodhet në burg dhe autoritetet greke kanë refuzuar kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

“Në prill 2020, Bledar Jambelli, me pseudonimin “Ricardo Muho”, me aktivitet kriminal në Spanjë e Greqi, doli para hetuesve për kontrabandë. Muho ndodhej në burg në atë kohë, i akuzuar për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku në Tiranë”, – shkruan gazeta.

Por deri para arrestimit të tij nga autoritetet greke, në dhjetor 2018, ai fshihej në Athinë dhe përdorte një ID dhe pasaportë false, me emrin Christos Hamkidi.

Sipas “Kathimerinit”, këto dokumente ishin siguruar prej tij në këmbim të 35 mijë eurove tek rrjeti i falsifikimit të dokumenteve, i shkatërruar nga autoritetet greke javën e shkuar.

E përditshmja greke, thotë po ashtu se Jambelli nuk e kishte fshehur faktin se përdorte identitete false, e madje nuk ngurroi që t’i jepte autoriteteve edhe emrin e një prej drejtuesve të këtij grupi kriminal, një 62-vjeçar nga Kazakistani.

Si funksiononte grupi kriminal në Greqi

Të paktën 20 persona u arrestuan në Greqi mbrëmjen e së martës gjatë aksionit policor për të goditur grupin e falsifikatorëve të pasaportave.

Grupi i falsifikatorëve u ofronin shtetasve të huaj letërnjoftime dhe pasaporta të falsifikuara me çmime që fillonin nga 30 mijë euro e lart. Shumica e atyre që përfitonin dokumente false, ishin persona me precedentë penalë.

Grupi i falsifikatorëve e ka nisur aktivitetin që nga 26 prilli i vitit 2013 dhe përbëhej nga grekë, ish-punonjës policie, policë dhe nëpunës të tjerë të shtetit fqinj.

9 prej të arrestuarve janë policë në detyrë. Shumica e oficerëve të policisë të përfshirë thuhet se janë të lidhur me komisariatet në pjesën perëndimore të rajonit të Atikës në Athinë.

Përveç Bledar Jambellit, nga ky grup i falsifikatorëve sipas mediave greke kishte marrë pasaportë të rreme edhe 37-vjeçari shqiptar, Mario Diamanti, biznesmeni i cili u vra më 16 nëntor në një karburant në Athinë.

Ai u qëllua me pistoletë me silenciator nga brenda një makine BMË Seria 1 ngjyrë e zezë.

Kush është Bledar Jambelli dhe vrasja që tronditi Tiranën

Bledar Jambelli është porositësi i vrasjes së komisarit të policisë Artan Cuku. 38-vjeçari pagoi 3 mijë euro të riut Mikel Shallarin për të vrarë Cukun, i cili u ekzekutua në hyrje të banesës së tij pranë Liqenit Artificial në 10 prill 2017, ndërkohë që 22 mijë euro do t’ia jepte pas kryerjes së vrasjes.

Pas vrasjes, Jambelli u largua menjëherë jashtë Shqipërisë, por ai u shpall në kërkim pas arrestimit të autorit të krimit, i cili u kap, pasi u identifikua nga kamerat e rrugës pas vrasjes.

Shallari u kthye në një bashkëpunëtor të drejtësisë, duke treguar dhe emrin e Jambellit, i cili e pagoi për të vrarë komisarin.

Ky i fundit, e porositi vrasjen e e Cukut për rihapjen e një dosjeje në vitin 2012, kohë kur kryekomisari ishte Drejtor i Policisë Vlorë.

Kjo dosje solli edhe arrestimin e Bledar Jambellit, të akuzuar për vrasjen e Shpëtim Mukës dhe Ervis Shehut në vitin 1997, e njohur si masakra e “Pusit të Mezinit”.

Në fakt, kjo dosje ishte e mbyllur nga prokuroria, por Artan Cuku gjeti prova dhe vuri në pranga Bledar Jambellin asokohe. Çuditërisht 38-vjeçari u la i lirë nga gjykatat shqiptare për mungesë provash në vitin 2013. Katër vite më pas, Jambelli vendosi të hakmerret, duke paguar Mikel Shallarin për të vrarë Artan Cukun.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë