Ana e errët

Policë që rrahin dhe që rrihen. Historia e 39-vjeçarit që nuk i lejoi efektivët që t’i shoqëronin të ëmën nga spitali

Në kohën që nuk ka rezultate nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për procedurën e ndjekur në komisariatin numër 3, nëse e neglizhuan, apo jo eprorët e Ludian Zaimit gjendjen e tij të rënduar, duket se nuk është problem vetëm dhuna nga ana e policëve, por edhe e qytetarëve ndaj tyre.

E raportuar si problematikë vazhdimisht nga Gazeta Si si një situatë ku policia po reagon gjatë disa arrestimeve dhunshëm, por edhe qytetarët po kundërshtojmë, sot po ju sjellim rastin e sulmit ndaj policisë nga një 39-vjeçar që nuk i lejoi që t’i shoqëronin të ëmën nga spitali.

Oficeri i policisë që kreu denoncimin pranon se ishte planizuar së bashku me kolegët në afërsi të komisariatit.

“Në këtë moment sapo kishim marrë detyrën na njoftojnë në radio se duhet të shkonim në Spitalin e Traumës, pasi do të bëhej shoqërimi i një shtetaseje në komisariat. Kjo grua ishte shoqëruar nga turni i parë për të marrë mjekim në spital dhe sipas shërbimit që na la komandanti u vumë në dijeni se kjo shtetase e dëmtuar ruhej nga patrulla numër 53/24”, thuhet në dëshminë e një efektivi që u mor me rastin.

Por kur shërbimi që do të zëvendësonte kolegët mbërriti në spital si fillim u njoftuan nga kolegët që ishin aty se gruaja e mori ndihmën dhe duhej të shoqërohej në polici për t’u pyetur.

“Morëm kontakt me shtetasen L.V., e cila shoqërohej nga një person tjetër. Ju drejtuam zonjës dhe i kërkuam të futej në makinë së bashku me djalin që e shoqëronte, pasi do të shkonim në komisariat”, përmend polici në denoncim.

Por, në këto momente i riu i panjohur që gjendej përkrah gruas dhe që më pas rezultoi se ishte i biri reagon dhunshëm.

“Ky person shkëputet, afrohet dhe fillon godet me grushta kolegun duke thënë, nuk keni shans ta merrni nënën time. Në këtë kohë u afruan edhe kolegët e tjerë për të kuptuar se çfarë po ndodhte, por ky person reagoi njësoj”, thotë polici kallëzimtar.

Sipas burimeve të policisë, efektivët e gjendur në këtë situatë të papritur kur duhet të shoqëronin një grua të dhunuar në komisariat për të siguruar dëshminë e saj, kanë reaguar duke njoftuar sallën operative dhe eprorët e tyre.

“Zonjën e mori një patrullë tjetër dhe gjatë kohës që neutralizuam të riun, ai gjatë gjithë kohës shante, ofendonte dhe godiste”, kujton polici përpara kolegëve të komisariatit numër 3.

Policia, që e arrestoi të riun në flagrancë dhe që bën me dije për Gazetën Si, se identiteti i tij është E.V., pasi goditi pranë urgjencës tre efektivë policie, ka refuzuar të flasë dhe të shpjegojë se përse ndodhi ky reagim i dhunshëm.

“Ai na shau dhe na gërvishi me thonj”, thekson efektivi tjetër që këmbëngul se u sulmua gjatë ushtrimit të detyrës. Policia përsërit jo zyrtarisht se për arsye të paqarta është rritur ndjeshëm agresiviteti ndaj policisë.

“Panorama më e zakonshme është kjo. Policët e thjesht në rrugë, oficerët e policisë gjyqësore gjatë zbatimit të detyrave kërcënohen nga qytetarët se do t’i heqin nga puna dhe se do t’u shkruajnë shefave. Disa prej tyre nuk shqetësohen dhe kryejnë referimet. Të tjerë përpos veprimeve hetimore denoncojnë qytetarët, duke dëshmuar dhunën verbale më së shumti dhe grushtat që ata përballen në versionin më të dhunshëm”, shpjegoi një zyrtar policie për Gazetën Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë