Teatri Kombëtar vendosi të lexojë pjesë nga vepra “Prefekti” të Besim Levonjës për t’i shfaqur në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit. Por leximi i kësaj vepre ngjalli një sërë kritikash, pasi në të ironizohet e tallet figura e Qazim Mulletit. Ishte shoqata “Tirona Intellectum” që reagoi ashpër për rikthimin e kësaj vepre.
Sipas tyre, duket se Teatri me këtë vepër po rivlerëson tezat e qasjet që kishte Teatri gjatë regjimit komunist, luftën e klasave dhe stigmatizimin e banorëve të Tiranës që jo vetëm u dënuan dhe iu morën pronat për t’ia dhënë elitës së re komuniste, por edhe u portretizuan dhe u përjetësuan në vepra arti.
Për këtë gjë, Shoqata Tirana është shprehur se do t’i drejtohet edhe Ministrisë së Kulturës që të heqë zyrtarisht nga transmetimi shfaqjen “Prefekti”, si një sajesë politike e sistemit komunist, e cila bazohet mbi trillime dhe mohimin e të vërtetës.
Rolin e Qazim Mulletit, që përpara viteve ‘90 e kishte mbajtur aktori Robert Ndrenika, tani i ishte besuar aktorit Arben Derhemi.

Robert Ndrenika, në rolin e Qazim Mulletit, ish-prefekt i Tiranës
Ndër të tjera, Shoqata e cilëson edhe më të turpshme që pjesë e këtij produksioni është një aktor nga Tirana, duke iu referuar pikërisht aktorit Derhemi.
Nga ana e tij, aktori Arben Derhemi, ka reaguar në lidhje me kërkesën e Shoqatës Tirana për të hequr zyrtarisht nga transmetimi komedinë “Prefekti”.
Me anë të një reagimi, Arben Derhemi shkruan se rrjetet sociale u kanë dhënë të drejtë çdo qenieje “Intelektuhale”, siç i quan ai, të sajojnë çfarë u intereson.
Derhemi, i cili është në rolin e Prefektit, shton se nuk e kupton se “ku janë prekur tironcat e vërtetë”.
Para leximit artistik të veprës “Prefekti” që u soll për publikun, përmes një video në faqen e Teatrit Kombëtar regjisori Spiro Duni shprehej mes të tjerave se është një sprovë, ku artistët sfidonin veten.
“Sot bëjmë një lexim artistik të vepër së mirënjohur ‘Prefekti’ të Besim Levonjës, është një sprovë që e kemi marrë përsipër për të nënvizuar idenë e një profeti që paralajmëron se çfarë e zeze do ta gjejë Shqipërinë për shumë vite më pas. Këtu ne nuk kemi shfaqje, është një sprovë ku ne sfidojmë veten fillimisht dhe do të nxjerrim konkluzionet edhe me dashamirësinë e kolegëve tanë, që kjo vepër të shohë dritën e skenës sa më shpejt”, shprehej regjisori i njohur Spiro Duni, i cili ka një aktivitet të vlerësuar në fushën e teatrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




