Futboll

Poçetino nuk di më çfarë të bëjë me Çelsin, vetëm Mourinjo mund të vërë rregull!

Gazeta Si – Çelsi po përjeton një moment kritik, edhe pse ka bërë shpenzime marramendëse për sezonin aktual. Disa nga lojtarët madje duan të largohen që tani, siç është rasti i Enco Fernandez.

Për një nga ish-lojtarët e kësaj skuadre, francezin kampion bote Emanuel Petit, me fanellën e Çelsit për 3 sezone, përgjegjësi të mëdha ka edhe trajneri Mauricio Poçetino. Ai ka qenë kritik për formacionin që vendos trajneri argjentinas.

Çelsi po përjeton një krizë të thellë, vjen nga dy humbje radhazi, ku ka pësuar në të dy rastet 4 gola (4-1 nga Liverpuli dhe 4-2 nga Volverhemptoni). Fotografia e klasifikimit thotë gjithçka për londinezët: vendi i 11-të, me 31 pikë.

Emanuel Petit, kur luante me Celsin

Petit, për këtë situatë thekson: “Jam shumë i zhgënjyer nga paraqitja e Çelsit. Dukej një ekip i çorganizuar, teknikisht konfuz, pa shpirt luftarak, pa komunikim dhe karakter. Më vjen shumë keq për tifozët. Poçetino refuzon të daptohet me karakteristikat e lojtarëve të tij dhe skuadra nuk ka sens në këtë moment.

Nuk di çfarë të bëjë dhe gjuha e tij e trupit është shqetësuese. Më duket i dorëzuar. Kam dëgjuar të flitet se Mourinjo mund të rikthehet me Xhon Terrin si asistent. Është diçka interesante kur e mendon. Mourinjo do t’i jepte karakter dhe personalitet skuadrës.

Në këtë moment grupi është copë-copë dhe ai është i vetmi që mund ta rregullojë. Mendoj që Çelsi ka nevojë për një trajner me një vizion të përshtatshëm për atë që duhet bërë me lojtarët. Duhet të heqin dorë nga blerja e lojtarëve dhe mendimi si të rrisin këta që janë. Çelsi ka nevojë për identitet, sepse aktualisht nuk e ka”, – ka thënë Emanuel Petit.

Vetëm pak kohë më parë nga Çelsi u largua sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, i cili kaloi në huazim te Fulhemi. Dhe ka bërë mirë, sepse me këtë gjendje që ka skuadra londineze, vështirë se Broja do ta gjente veten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë