Ngjarje

“Po na mbyllin se vumë flamurin shqiptar!” Banorët e Tuzit përplasen me policinë. Krivokapiç anulon vizitën

Policia dhe qytetarët janë përplasur ashpër sot në qytetin e Tuzit, pasi qeveria e Malit të Zi ka mbyllur lokalet në kuadër të masave kufizuese për përhapjen e Covid 19.

Pas këtij vendimi kryetari i qytetit me shumicë shqiptare, Nikë Gjeloshaj së bashku me banorë të Tuzit kanë vendosur t’i bllokojnë rrugën policisë.

Sipas tij, Tuzi ndodhet në zonën e gjelbër dhe vendimi është hakmarrje ndaj vendosjes se flamurit shqiptar dhe atij të Kosovës me rastin e ditës së pavarësisë së Kosovës.

Gjeloshaj ka thënë për mediat se kjo lëvizje është e orkestruar nga kryeministri Krivokapiç dhe Dritan Abazoviç.

Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj gjatë protestës në Tuz

“Ka të bëjë me diskriminim, sepse asnjë komunë nga Tabela Institutit të Shëndetit Publik nuk është mbyllur, përveç Tuzit. Kjo është hakmarrje e kryeministrit dhe zëvendëskryeministit ndaj qytetarëve të Tuzit. Hakmarrje për shkak të shpalosjes së flamurit. Meqë e dimë se ata po e bëjnë këtë për arsye, ne po i ftojmë për të biseduar. Le të dalin para popullit dhe le të sqarojnë pse po diskriminohemi. Këtu po i presim”, tha Gjeloshaj, dujke thënë se nuk do të hapte rrugën derisa Abazovic te shkonte në Tuz.

Përplasja vjen pasi në ndërtesën e Komunës së Tuzit janë vendosur fundmi flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë për të festuar pavarësinë e Kosovës.

“Në vend që të vijnë, ata po dërgojnë policinë, kjo është përgjigjja që ata kanë ndaj qytetarëve të Komunës së Tuzit”.

Aktualisht Tuzi ka 95 qytetarë të infektuar me koronavirus, dhe kjo komunë gjendet në zonën e e gjelbër, ku shkalla e epidemisë nuk është në rritje.

Krivokapiç: E gjitha po bëhet për shfaqje politike
Sipas REL, në orët e pasdites, policia u tërhoq nga Tuzi si dhe u larguan qytetarët e mbledhur.
Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj njoftoi se bisedimet me qeverinë e Malit të Zi do të mbahen jashtë qytetit të Tuzit, duke mos treguar për vendin dhe kohën e takimit.

Ndërkohë në një videomesazh, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç vlerësoi se ngjarjet në Tuz “nuk i shërbejnë nderit të askujt” dhe se “institucionet do të funksionojnë në të gjithë territorin e shtetit”.
“Nuk dua të akuzojë askënd për këtë aktivitet por është indikative që zotëri (Nik) Gjeloshaj donte të shndërronte këtë problem shëndetësor në një problem politik”, ka thënë kryemnistri malazez, Krivokapiç duke shtuar se vendosi të mos shkonte në Tuz për shkak se e gjitha po “bëhet për një shfaqje politike”.

Edhe më herët qeveria e Malit të Zi u shpreh e gatshme që të zgjidhë problemin dhe të diskutojë me kryetarin e Tuzit, Nik Gjeloshaj, kryeministri malazez Zdravko Krivokapiq anuloi vizitën e paralajmëruar për të enjten në orën 14.00.
Më herët gjatë ditës, kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj njoftoi për një telefonatë që kishte me kryeministrin e vendit.
“Pak kohë më parë, më telefonoi kryeministri (Zdravko Krivokapiq) dhe vetëm më informoi se nuk do të vjen që të flas më përfaqësuesit e komunës e as më qytetarët. Ai nuk më la vend për asnjë fjalë të vetme dhe vetëm e ndërpreu telefonatën. Nuk sqaroi, por vetëm tha: nuk po vij. Mendoj që është sjellje e papërgjegjshme”, tha Gjeloshaj.

Më herët edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, bisedoi me kryeministrin Krivokapiq dhe shprehu shqetësimin e tij për situatën në Tuz, të krijuar nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë.
“Mungesa e dialogut që shoqëroi këtë vendim për të mbyllur lokalet në Tuz, nuk duhet të jetë arsye e mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë midis Qeverisë dhe Komunës. Bëj thirrje që ky problem të zgjidhet me urgjencë”, tha Nimanbegu.
Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Luigj Shkreli, tha se kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i mbron me të drejtë interesat e qytetarëve të tij.
“Në mënyrë paqësore, të qetë dhe me dinjitet deri në marrëveshje, ashtu siç edhe u ka hije qytetarëve të Malësisë”, shkroi Shkreli në Facebook.
Gjeloshaj e ftoi edhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të shkojë në Tuz, por Abazoviq nuk u përgjigj.
Qytetarëve të Tuzit të cilët që nga mëngjesi protestuan kundër mbylljes së bizneseve në sektorin e gastronomisë në kuadër të masave të miratuara të mërkurën, ju bashkëngjiten edhe zyrtarë të partive shqiptare nga Ulqini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë