Dosje

‘Plumbi i Artë’ / Nuredin Dumani akuzon oficerët e policisë në Elbasan: Pas arrestimit tim, nuk iu përgjigja të korruptuarve

Gazeta Si – Në seancën gjyqësore të radhës të dosjes “Plumbi i Artë”, bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, përballë pyetjeve të avokates së Altin Ndocit, ka treguar se pasi e kanë arrestuar, nuk ka dhënë përgjigje para oficerëve të Policisë së Elbasanit, pasi sipas tij janë të korruptuar.

I penduari shtoi se ditën e arrestimit, 29 mars 2022, ishte nisur për të vrarë Elton (Oti) Kilën me kërkesë të Suel Çelës. Por ky atentat nuk u realizua dot, pasi atë ditë Dumani u plagos. Për autorët thotë se nuk i ka njohur, por vetëm shoferi nga trupi i është dukur si Talo Çela.

Avokatja Elda Zotaj: A ke bërë deklarime para OPGJ-ve të Elbasanit, pas momentit të arrestimit?

Nuredin Dumani: Nuk ju kam kthyer përgjigje të korruptuarve. Ata janë të korruptuar. Kur jam arrestuar në Fier më çuan në spital. Pastaj më çuan tek “Ushtaraku”. Aty erdhën Kreshnik Ajazi, Tonin Vocaj dhe Ardian Çipa. Nuk kam firmosur gjë para tyre. Nuk më kanë marrë në pyetje.

Avokatja Elda Zotaj: Ku e ke dhënë deklarimin e parë pas arrestimit?

Nuredin Dumani: Mesa mbaj mend i kam dhënë tek Spitali i Burgut. Atje kam firmosur pas deklarimeve. Nuk mbaj mend nëse janë regjistruar në audio dhe video.

Avokatja Elda Zotaj: Ditën e arrestimit për cilën ngjarje u nise në Elbasan. Cili ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës?

Nuredin Dumani: Suel Çela.

Avokatja Elda Zotaj: A të ka kontaktuar Alibej me telefonat e enkriptuar?

Nuredin Dumani: Më ka çuar letra dore.

Avokatja Elda Zotaj: A je në dijeni të ndonjë miqësie mes Oti Kilës dhe Hajdar Çopjes?

Nuredin Dumani: Nuk e di.

Avokatja Elda Zotaj: Ditën që u plagose, a i dallove personat që të qëlluan?

Nuredin Dumani: Jo nuk i kam njohur. Ishin të maskuar. Vetëm nga trupi shoferi më është dukur si Talo Çela

Ndër të tjera teksa rrëfeu sesi ndodhi ngjarja ku mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua, Dumani zbuloi gjithashtu se një shef i krimeve në Elbasan e informonte për lëvizjet e Talo Çelës, në këmbim të 10 mijë eurove në muaj.

“Suel Çela ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës. Ditën e ngjarjes isha vetëm në makinë, kur u qëllova isha shofer. Më qëlluan nga mbrapa. Më pas u ula te sedilja e pasagjerit në makinën X5 kur u plagosa. Oti Kilën e njihja personalisht, kam ndenjur me atë bashkë me vëllain tim. I kemi shitur një makinë dhe i kemi blerë një makinë. Në të njëjtën ditë u bë shit-blerja. Në 2019 një shef krimesh në Elbasan që Henrik Hoxha e kishtë shok, më jepte informacione për Talo Çelën. Shefin ma prezantoi Henriku, ai kërkonte 10 mijë euro në muaj. Një dite para ngjarjes bleva një kallashnikov dhe silenciator në Fier. Sandër Baho më njohu me shitësin. Ditën e ngjarjes kisha mitraloz me 200 fishekë dhe një kallash. Mitralozin ma dha çuni i xhaxhait tim. Makinën për ngjarjen e bleva rreth 5-6 mijë euro, me thanë që ishte e vjedhur në Greqi, por nuk e di”, ka thënë Dumani.

Nuredin Dumani u arrestua mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.

Ai është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur.

Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.

Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë