Gazeta Si - Grupet e shpërndarësve të drogave të ndryshme afër shkollave dhe lokaleve të natës në Tiranë, përdornin kode dhe fraza të ndryshme për t’iu shmangur policisë.
Këtë të enjte, Gjykata Penale caktoi masën e sigurisë "arrest në burg" për 10 nga 20 të arrestuarit një ditë më parë.
Bëhet fjalë për: Jurgen Hasmataj, Altin Lani, Armaldo Xheladini, Dorjano Çela, Fabian Qoku, Muharem Tarushi, Denis Idrizi, Erion Xhaxho, Polikron Shabani, Redi Lolaj. Ndërkohë 10 të arrestuarit e tjerë do të njihen me masën e tyre të sigurisë, të premten, 24 mars.
Nga përgjimet mes të arrestuarve, mesazhet që ata përdornin për kokainën ishin si, “pluhur zane”, apo “vëllai i madh” nëse bëhej fjalë për sasi të madhe. Nëse sasia ishte e vogël, rreth 0.5 gramë apo 1 gramë, shpërndarësit përdornin frazën “vëllai i vogël”.
Ndërsa për shitjen e kanabisit, anëtarët e dy grupeve përdornin kodin ‘seqe’ (duke folur mbrapsht), duke specifikuar përkatësisht edhe sesa qese shisnin.
Sipas burimeve paraprake, lënda narkotike vinte nga zona e Fushë Krujës, ku dyshohej se kultivohej dhe më pas shpërndahej në kryeqytet.
Pjesa më e madhe e kanabisit shitej pranë lokaleve të zonës së gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranën e Re.
Një nga të arrestuarit, Dorjano Çela ishte personi që kishte siguruar klientët në këtë gjimnaz.
Në aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, ishin edhe tre vajza, ku një prej tyre ndodhet në kërkim dhe rezulton sipas sistemit TIMS se është larguar në Itali më datë 14 mars, një javë para operacionit policor.
Në dosjen hetimore, dalin në pah komunikimet e grupit gjatë kohës që policia i kishte në përgjim. Një prej bisedave të përgjuara zhvillohet mes agjentit të infiltruar, emri i koduar i të cilit është Reno dhe një nga të arrestuarit, Fabian Qoku.
Reno: Ça bëhet?
Fabian Qoku: Dëgjo, se një me ngeli mu, se i hoqa, se ti të lajmëron në fund o vlla.
Reno: E, s’ke mo fare?
Fabian Qoku: S’kam me vete, duhet me ik me mor.
Reno: Do vish prap?
Fabian Qoku: Okej, po vij.
Shtrirja e aktivitetit të tyre ishte e ndarë në 11 zona të ndryshme duke përfshirë këtu 28 lagje të Tiranës.
Anëtarët e grupeve ndaheshin në nëngrupe të vogla me 2, 3 apo 4 anëtarë. Numri më i lartë, me 4 anëtare ishte në zonën e ish-Bllokut, të Kombinatit dhe Yzberishtit.
Gjatë operacionit një ditë më parë, u arrestuan 20 persona dhe 4 u shpallën në kërkim.
Po ashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kilogramë e 120 gramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 milionë lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete dhe 29 aparate celulare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.