Shendet

Mbi 60 mijë përdorues droge në vend, 20 vdekje nga overdozat, në shkolla mungojnë bisedat me nxënësit

Nga Gazeta Si - Prej 10 vitesh në Shqipëri nuk kryhen biseda me të rinjtë gjimnazistë për rrezikun që u vjen nga përdorimi i drogërave. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk lejon ende fushatat sensibilizuese që organizohen nga shoqëria civile, ndonëse situata sa vjen dhe rëndohet. Dhe, të dhënat më të fundit që vijnë nga shoqëria civile që punon me këtë target grup, raportojnë për një numër të lartë përdoruesish droge të cilët e kanë nisur konsumimin e lëndëve narkotike shumë herët, që në vitet e para të shkollës së mesme.

Nga raporti për drogat, thuhet se që nga 1995 kur numri i personave (15–65 vjeç), që të paktën një herë kanë provuar një lloj droge rezultonte rreth 5,000, sot në vitin 2022, në Shqipëri numërohen rreth 60 mijë persona përdorues të drogave, ku rreth 7-8 mijë konsiderohen konsumues problematikë të drogave të rënda dhe të rrezikshme.

“Afërsisht 6.8% e nxënësve e kanë provuar kanabis të paktën një herë në jetë, krahasuar me 4.4% që ishin në vitin 2014. Nga anketimet apo studimet rezulton se, numri i përdoruesve të drogave ka një rritje të ndjeshme”, thonë burimet nga “Aksion Plus”, shoqata që merret prej vitit 1997 me këtë target grup.

Burimet nga kjo organizatë thonë se prej 2018, numri I përdoruesve të drogës që marrin terapi në qendrat e Metadonit në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Fier, Shkodër, Berat dhe Sarandë, është rritur me 200 persona më shumë, duke numëruar sot 950 persona nga 750 kliente që trajtoheshin në 2018.

Ekspertët thonë se abuzimi me kanabis është në rritje por edhe varësia nga heroina po ashtu. Burimet për Gazetën “Si” thonë se nga komunikimi zyrtar me MAS nuk kanë marrë asnjë përgjigje për të vijuar me programin e tyre në drejtim të fushatave që duhet të kryhen në shkolla.

Ekspertët thonë se rreziku i përdoruesve të drogës në moshë të re është përzierja e lëndëve narkotike, si për shembull: heroinën me kokainën, kokainën me alkoolin, heroinën me alkoolin, heroinën me marijuhanën, heroinën me diazepamin.

Sipas të dhënave nga ISHP, përqindja e të rinjve të shkollave të mesme që kanë përdorur një herë ose më shumë marihuanë gjatë jetes se tyre është mbi 6.8%.

“Disa prej tyre po eksperimentojnë me drogat e reja psikoaktive, duke patur një nivel të ulët të dëmeve dhe rreziqeve afatshkurtra dhe afatgjata. Rritje shohim tek përdoruesit e heroinës me 2.4 herë, ku prevalenca e përdorimit është rritur nga 0.7 % në 1.7 %.

Kokaina është droga e dytë për rritjen e prevalencës së përdorimit , me 2.3 herë nga 1.6 % në 3.7 %.
Ulje ka pasur vetëm ekstazi, nga 3.5% në 2.4%”, thonë burimet nga “Aksion Plus” për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë