Gazeta Si – Mesfushori anglez ishte protagonist i mbrëmjes me një dopietë me kokë. Leao kompletoi fitoren e thellë të kuqezinjve në ndeshjen e parë ndaj francezëve, pas një traverse që në minutat e para.
Mbrëmje e bukur për Milanin dhe trajnerin Stefano Pioli, që në ndeshjen e parë të play-off-it të Ligës së Europës kanë mundur 3-0 francezët e Ren në ‘San Siro’.

Pas një traverse të goditur nga Leao në fillim të ndeshjes, kuqezinjtë kanë pasur kontrollin e lojës. Rezultati u zhbllokua në minutën e 32-të, pas një gjuajtjeje me kokë të Loftus-Çik. Mesfushori anglez bëri të njëjtën gjë sapo nisi pjesa e dytë, në zhvillimet e një goditjeje këndi.
Vetëm 6 minuta më pas Leao trefishoi shifrat, pas një kombinimi të bukur me Hernandez. Ndeshja e kthimit do të luhet më 22 shkurt në Francë, por Milani shkon i sigurt pas këtij triumfi.
Në ndeshjet e tjera, Roma barazoi 1-1 në fushën e Fejnordit, kurse Benfika mundi me vështirësi Tuluzën. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Qazim Laçi, ishte titullar në ndeshjen ndaj Galltasarajit, ku Sparta e Pragës u mund 3-2.
Liga e Europës, Play-off
Fejnord-Roma 1-1
Gallatasaraj-Sparta Pragë 3-2
Shakhtar-O.Marsejë 2-2
Jang Bojs-Sporting 1-3
Milan-Ren 3-0
Benfika-Tuluzë 2-1
Braga-Karabag 2-4
Lens-Frajburg 0-0
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




