Lojëra me Dore

Play off-i NBA, San Antonio afrohet me çerekfinalen

Kanë mbetur vetëm dy vende për të plotësuar grupin e 8 ekipeve çerekfinaliste të play off-it në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Pas kualifikimeve të Portland dhe Hjuston ekipi që i është afruar më shumë biletës çerekfinaliste është San Antonio. Skuadra nga Teksasi ka barazuar shifrat e ndeshjeve në 3 - 3 me Denver Nagets dhe tashmë shpreson të kalojë në fazën tjetër.

Përballja mes këtyre dy ekipeve ishte parashikuar të ishte shumë e fortë për atë që kishin treguar në fazën e rregullt dhe përbërjen e lojtarëve që kanë në dispozicion. Me fitoren e fundit në shtëpi në shifrat 120 – 103, San Antonio tregoi edhe një herë se do të provojë deri në fund të shkojë në çerekfinale. Aldrizh dhe DeRozan ishin më të mirët për ekipin teksan, që iu kundërpërgjigjën më së miri performancës së shkëlqyer të Jokiç për Denver Nagets.

Në ndeshjen finale ekipet do të udhëtojnë drejt Denverit në “Pepsi Arena” ku pritet të zhvillohet një përballje epike dhe paparashikueshme se si mund të përfundojë. Nagets është e avantazhuar për shkak të faktorit fushë, por sërish ndeshjet e mëparshme kanë treguar se vendi ku luhet sfida nuk ka qenë përcaktues në rezultatin final. Cilado nga këto dy skuadra do të vazhdojë në fazën çerekfinale, do të gjejë përballë Portland që eliminoi 4-1 Oklahomën. Sakaq këtë të premte pritet të përcaktohet edhe çerekfinalisti i çiftit tjetër mes Los Anxhelos Klipërs dhe Golden Stejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë