Ka ndodhur

Plagosja e të rinjve te ish-Parku, arrestohen autorët e dyshuar me precedentë penal

Policia ka zbardhur plagosjen me armë zjarri të dy të rinjve Aleksandër Nikolli dhe Xhulio Vela, ngjarje e ndodhur pasditen e të mërkurës, 13 tetor, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë.

Në pranga kanë rënë 2 nga autorët e dyshuar të ngjarjes, Aleksandër Palushi 27 vjeç dhe Daniel Malushi 27 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim autori i tretë i ngjarjes, Islam Xhetani 28 vjeç, të tre me precedent të mëparshëm penal, njëri prej tyre me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe shtetasve të plagosur.

Po ashtu, u bë dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej të plagosurve, përkatësisht i Aleksandër Nikollit, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Policia sekuestroi edhe armën e zjarrit pistoletë që u përdor në vendngjarje.

Farjon Palushi, 27 vjeçari i arrestuar si një nga tre autorët e plagosjes së dy të rinjve në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ai u arrestua në qershor të këtij viti gjatë një operacioni antidrogë të policisë. Emri i tij ishte në mesin e 12 personave që u arrestuan gjatë finalizimit të operacionit, ndërsa 6 persona të tjerë u shpallën në kërkim asokohe. Grupi i të rinjve, e kishin kthyer zonën e ish-Parkut në kryeqytet si bazën e tyre për shitjen e drogës.

Në ndihmë të policisë erdhen edhe disa ankesa të banorëve të zonës së 21 Dhjetorit, të cilët kishin treguar se një grup djemsh çdo natë konsumonin lëndë narkotike në hyrjen kryesore të një pallati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë