Gazeta Si - Pesë persona janë arrestuar mëngjesin e së martës në lidhje me plagosjen e Joan Muçllarit një ditë më parë në Pogradec.
Policia thotë se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me automjete dhe me veprime aktive, dyshohet se kanë ndihmuar autorët e dyshuar të ngjarjes, që të largohen nga vendngjarja.
Si autorë të dyshuar të plagosjes së 22-vjeçarit, policia ka shpallur në kërkim Firdeus Berberin 21 vjeç dhe Greisi Maxharin 23 vjeç.
Ndërsa në pranga janë vënë 5 persona, që policia i konsideron si bashkëpunëtorë të dy autorëve të dyshuar.
Të arrestuar janë Fatjon Bono 32 vjeç banues në fshatin Vërdovë, Kristian Kresto 26 vjeç; Hekuran Gjona 22 vjeç; Ledion Shkullaku 27 vjeç dhe Rudi Shaho 28 vjeç, banues në Pogradec.
Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua automjeti tip “Volksëagen Golf” në përdorim të shtetasit F. B., i cili është përdorur në ngjarje, si edhe automjetet tip “Benz” dhe “BMË X5”, me të cilët janë ndihmuar Firdeus Berberi dhe Greisi Maxhari për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Bashkëpunëtorët akuzohen për moskallëzim krimi, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe përkrahje e autorit të krimit.
Ndërsa dy të dyshuarit Firdeus Berberi 21 vjeç dhe Greisi Maxhari 23 vjeç vijojnë të jenë në kërkim nga policia dhe akuzohen për vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe prishja e qetësisë publike.
Joan Muçllari ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai është i plagosur me plumb në këmbë dhe është goditur me thikë në kokë.
Autorët kanë ngacmuar fillimiht me fjalë Johan Muçllarin, i cili u është kthyer dhe janë konfliktuar me grushte.
Më pas sherri ka degraduar në përdorimin e armës dhe thikës nga autorët. Ngjarja e ka zanafillën nga një histori e para dy viteve në Tushemisht të Pogradecit.
Më 8 gusht të vitit 2020, hoteli “Voloreka” u qëllua me breshëri arme në pikun e sezonit turistik dhe ku shënjestra ishte pikërisht dhoma ku flinte 22-vjeçari dhe familjarët e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.