Ka ndodhur

Plagosi me armë 2 vëllezërit në Shkodër, arrestohet në Tiranë autori i dyshuar

Gazeta Si - Një 30-vjeçar, i cili kishte qëlluar me armë zjarri ndaj dy vëllezërve në Shkodër në vitin 2021 është arrestuar këtë të martë në Tiranë.

Bëhet e ditur se Besmir Përkola u prangos në kuadër të operacionit të koduar policor “Arratia” nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2.

Gjatë këtij operacioni, në rrugën “Frang Bardhi”, policia ndaloi automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga Përkola.

Gjatë kontrollit, në çantën e 30-vjeçarit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, si dhe një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar.

Në mars të vitit 2021, policia arrestoi edhe dy vëllezërit Marjan dhe Hot Doçaj, të cilët ishin konfliktuar me Përkolën.

Të dyshuarit nuk ishin të panjohur për OFL-në, pasi hetoheshin për lidhje me krimin e organizuar dhe për rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz nga Gentian Doçi, kushëriri i dy vëllezërve që u plagosën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë