Rend dhe Ligj

Plagoset Ardian Çapja në Elbasan, në vendngjarje edhe një automjet i djegur

Policia e Elbasanit ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen e ndodhur paraditen e sotme në Elbasan, ku pati të shtëna me armë zjarri dhe një person u plagos. Po kështu u dogj dhe një automjet.

Policia thotë se në urgjencën e Spitalit Elbasan, është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi Ardian Çapja, rreth 55 vjeç, banues në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan dhe dyshohet që është plagosur me armë zjarri.

Familjarët pretendojnë se Ardian Çapja është rrëzuar në banesë.

Çapja ka pasur shumë hemorragji, ndërsa gjendja e tij thuhet se është kritike. I plagosuri është transportuar drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet, ndërsa po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e plumbit në shpatull.

Mësohet se Çapja ka qenë duke dalë nga banesa e tij, ndërsa dyshohet se disa persona i kanë hyrë nga pas, ku është një servis, dhe e kanë qëlluar në distancë.

Po ashtu ka dyshime se autorët, fill pas plagosjes së Çapjas, janë larguar nga vendi i ngjarjes me makinë.

Ndërkohë në periferi, në një zonë të pyllëzuar dhe larg shtëpive të banimit është djegur dhe një automjet. Dyshohet që makina të jetë e autorëve të plagosjes së Çapjajt. Autorët i kanë vënë zjarrin në një zonë të pyllëzuar. Ndërkohë, policia pasi ka shkuar në vendin e ngjarjes ka tentuar që të fikë zjarrin, ndërsa dyshohet se në këto momente ka pasur një shkrepje arme dhe është plagosur një zjarrfikës. Por ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë, nëse zjarrfikësi është plagosur si pasojë e shkrepjes së armës apo është lënduar nga zjarri.

Ardian Çapja

Kush është Ardian Çapja?

Ardian Çapja është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit, por edhe për drejtësinë, pasi ka qenë shoqëruar disa herë, ndërsa në vitin 2017 u ka shpëtuar dy atentateve me armë dhe eksploziv.

Ai është pronari i hotel “Univers” në hyrje të qytetit të Elbasanit. Ardian Çapja është vëllai i Sokol Çapja, që u ekzekutua në vitin 2005. Si pasojë e përplasjes dhe hasmërisë mes fisit Çapja dhe Mema në dekadën e fundit në Elbasan janë shënuar shumë viktima nga të dy palët, ndërsa shumë ngjarje janë ende pa autorë.

Gjithçka ka nisur në vitin 2005, ku Sokol Çapja u përfshi në konflikt me ish-kreun e Qarkullimit Rrugor në Elbasan, Fadil Mema. Pas kësaj ngjarjeje mbeti i vrarë Sokol Çapja dhe si autorë u akuzuan nipat e oficerit të Policisë. Kjo pasoi me vrasjen e kunatit të Memës, Ardian Ibrahimi, në maj 2006.

Në vitin 2012, Gentian Beqiri, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjes, u ekzekutua, ndërsa ishte lënë në arrest shtëpie. Ndërsa në mars 2015, në Torino të Italisë, u ekzekutua Fadil Mema.

Më pas, në shkurt 2016, mbetën të vrarë Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa mes tetë të plagosurve ishte dhe Florenc Çapja. Ndërsa në qershor 2016, Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça u arrestuan për sulm ndaj disa efektivëve civilë të Policisë, pasi dyshonin se do të kryenin atentat ndaj tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë