Nga Liridon Mulaj– Një ndër produktet shqiptare bio më mbreslënëse, krejtësisht artizanale e po ashtu edhe moderne është kokteji autentik shqiptar ‘Ping le Peak’, një pije me bazë rakinë e Përmetit dhe mjedrën e Munellës së Pukës. E prezantuar në panairin e artizanatit “Zan’fest” stenda e “L’Artisan” e cila prodhon këtë koktej, ishtë ndër më të vizituarat, pikërisht për shkak të “Ping Le Peak”
Redi Meta, barmani i cili përgatit koktejin thotë për Gazetasi.al se emri i pijes është frymëzuar nga Maja e Papingut në Përmet ose e quajtur ndryshe Maja e dritës.
“Një specialitet i yni krejtësisht mbi produkte vendase është kokteji me bazë rakie, ‘Ping Le Peak’ frymëzuar nga maja e Papingut, ose maja e Dritës. Rakia lihet për disa kohë të qetësohet me bimë aromatizuese dhe medicinale. Pastaj përziehet me mjedrën e egër të Munellës së Pukës, edhe kjo e fermentuar bashkë me sherebelën. Në përzierje shtohet mjalti dhe limoni. I gjithë procesi i përzierjes së koktejit bëhet në dybek në masa të mëdha.

Meta thekson se dybeku është simbolikë kundër egoizimit, duke qenë se si enë është më masive.
“Vetë dybeku ka simbolikën e masivititet pra duke qënë për të gjithë familjen, dhe shoqërinë nuk është një koktej apo gotë individuale. Më ketë ne godasim le të themi drejtpërdrejt egoizmat dhe përpiqemi të jemi më social”
Kokteji “Ping Le Peak” sipas Metës, ndryshe quhet dhe kokteji i shqisave.
“Duke qenë se ne punojmë me shqisat, një ndër shqisat shumë interesante është nuhatja, po ashtu edhe shikimi ku ky koktej i ngacmon të dyja. Një enë me sherebelën që digjet dhe lëshon tymin aromatizues, qetëson mendjen dhe largon energjinë negative. Është një improvizim, dhe duke përdorur poçerinë, pra enët prej balte të bëra me porosi, ti ke dhe ndjesinë e të prekurit e po ashtu dybeku dhe kërcitja e tij ngacmojnë dëgjimin” thotë Meta.
Ai shton se ata realizojnë edhe pije të tjera autentike si çaji i gjyshes , me zjerjen herbale të sherebelës, çajit të malit, hudhrës duke shtuar pak fruta për shije më të mirë.

Meta thotë se punon kryesisht me ambasadat e huaja e gjithashtu prej 15 vitesh zotërojnë një shkollë për Barman. Ai gjithashtu thotë se sipërmarrje të tilla që kanë në fokus produktet shqiptare, duhen mbështetur nga shteti.
“Ne operojmë në treg prej 15 vitesh si banakierë ose barman le të themi, tashmë pjesë e “L’artisan” e cila është një shkollë për Barman e fokusuar në teknikat e avancuara.
Kemi nevojë sigurisht edhe për mbështetjen e institucioneve , pra nuk mund të them se nuk kemi nevojë. Por në Shqipëri biznesi shpesh funksionon me miqësi. Ne i bëjmë këto gjëra dhe duam të shesim se jemi të mirë jo se kemi mikun. Por puna jonë ka qënë kryesisht e fokusuar te koktejit nëpër ambasada të huaja dhe disa institucione shqiptare të cilat e vlerësojnë punën tonë” përfundon Redi Meta.

Artizanati në Shqipëri lidhet kryesisht me objekte të trashëgimisë kulturore si kostume tradicionale, qypa balte, vegla muzikore të traditës etj.
Por me evoluimin e shoqërisë, kanë ndryshuar gjithashtu edhe qasjet ndaj traditës, shpesh eksperimentale por pa u larguar nga baza e autentikes. Kokteji “Ping Le Peak” me shijen e athët e njëkohësisht të ëmbël, synon të jetë një nga pijet e dashura të jetës festive moderne, duke mbartur edhe traditën me vete, si pjesë thelbësore të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.