Ekspertët e Komitetit teknik deklaruan se gjatë kësaj periudhë situata epidemiologjike në vendin tonë po kalon në një valë tjetër infektimesh. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini shpjegoi se është rritur incidenca një javore dhe dy javore e rasteve, e pa reflektuar kjo gjë në shtrime dhe fatalitete.
“Në këto dy javë u shënua piku më i lartë i infektimeve në dy vite pandemi. Infektimet janë rritur si pasojë e qarkullimit të variantit Delta dhe Omicron të Covid-19 dhe virusit të gripit, por edhe për shkak të mosrespektimit të grumbullimeve gjatë festave të fund vit”, tha Tomini.
Lidhur me vaksinimet Shefja e Shërbimit Epidemiologjik Silva Bino ka shpjeguar se ka një dyfishim të vaksinimeve me dozat e para në vend.
Sipas Binos kemi 52,7% të popullatës target të vaksinuar me dozën e parë, 47.5% me dozën e dytë dhe 7.7% me dozën e tretë. Ndërsa për sa i përket popullatës së përgjithshme kemi arritur mbi 40% për dozën e parë dhe 38% me të dyja dozat. Bino shpjegoi se përqindja e popullatës është më e lartë për sa i përket grup moshës +60 vjeç dhe sfidë mbetet vaksinimi i të rinjve.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të mos ndryshohen masat për Covid-19 dhe i ka konsideruar ato efikase për situatën epidemiologjike ku ndodhemi.
Masat aktualisht janë:
-Kufizimi i qarkullimit dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 23:00-06:00.
-Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
-Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 mijë lekë.
-Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.