Ngjarje

Pfizer ka rritur çmimin nga 12 në 20 dollarë për dozë. Sa do paguajë Shqipëria për 250 mijë dozat e tjera?

Shqipëria pritet të marrë sot rreth 7 mijë doza të tjera ta vaksinën Pfizer, si pjesë e një marrëveshje për sigurimin e 500 mijë vaksinave nga kompania amerikane.

Edhe pse nga qeveria shqiptare nuk ka informacione zyrtare, vende anëtare të Bashkimit Europian kanë bërë të ditur sot gjigandi farmaceutik ka rritur çmimin e dozave deri në 20 dollarë, duke çuar edhe në pakënaqësi në mesin e unionit.
Komisioni Europian ka nënshkruar kontrata me Pfizer për furnizimin me vaksina deri në vitin 2023, por së fundmi çmimi ka arritur në 19,50 € për dozë. Lajmi u zbulua nga kryeministri Bullgar Bojko Borisov, i cili tha se kompania amerikane ka vendosur të rrisë çmimet në mënyrë të njëanshme, edhe si pasojë e rritjes e kërkesës.

“Një dozë e Pfizer ishte fillimisht me 12 euro, pastaj u bë 15,50 euro. Tani Komisioni po nënshkruan kontrata për 900 milion vaksina me një çmim prej 19,50 eurosh për dozë" tha Kryeministri bullgar. “Tani kemi më shumë frikë nga varianti francez. Do të shfaqen kaq shumë variante… Sepse 19,50 € për 900 milion do të kushtojnë gati 18 miliardë euro për vaksinimin me një dozë. Pastaj do paguajmë për të dytën, pastaj për të tretën dhe të katërtën" vazhdoi Borisov, duke shtuar se ekspertët duhet të hartojnë buxhete shumë më të larta për vaksinat.

Ashtu si edhe Shqipëria, Komisioni Europian deri më tani ka refuzuar të zbulojë çmimin e vaksinave. Kjo si pjesë e një marrëveshjeje konfindicialiteti me kompaninë amerikane. Sidoqoftë, dhjetorin e kaluar ministrja belge Eva De Bleeker zbuloi gabimisht në Twitter çmimet e vaksinave të negociuara nga Komisioni, si dhe numrin e dozave të blera nga qeveria e saj, duke bërë të ditur se një dozë e AstraZeneca po blihej me 1.78 euro dhe një dozë e Pfizer me 12 euro. Por ndërkohë që çmimet e Astrazeneca nuk kanë ndryshuar, ato të Pfizer duket se kanë prekur tavanin.

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Pfizer/BioNTech doli po ashtu në dritë pak pas mbërritjes së vaksinave, sipas të cilës vendi ynë kishte rezervuar 500 mijë vaksinat anti-covid.

Në kontratën e cilësuar konfidenciale u zbuluan detajet, sa i përket kostove dhe sasisë së vaksinave që do të mbërrijnë në Shqipëri brenda këtij viti. Shqipëria do të marrë nga Pfizer499,590 vaksina. Sipas asaj që thuhet në marrëveshje, për gjysmën e këtyre dozave, 249,795 Shqipëria do të parapaguajë rreth 3 milionë dollarë brenda 30 ditëve (paguar në janar 2021), ndërsa për pjesën tjetër do të caktohet çmimi në një moment të dytë.

Sipas llogaritjes së bërë në marrëveshje, një dozë e vaksinës së Pfizer i ka kushtuar deri më tani Shqipërisë 12 dollarë. Por është ende e paqartë sa do t’i kushtojë vendit tonë blerja e rreth 250 mijë vaksinave të tjera për të cilën nuk është përcaktuar çmimi. Gjasat janë që Shqipëria t’i marrë me të njëjtin çmim, pra rreth 20 dollarë për dozë, pas rritjes së çmimit nga kompania amerikane, duke bërë që kostoja e tyre të shkojë në rreth 5 milionë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë