Ngjarje

Peter Handke shpallet non-grata në Kosovë

Shkrimtari dhe laureati i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke është shpallur person i padëshiruar (non-grata) në Kosovë. Lajmi është konfirmuar përmes një postimi në Tëitter, nga ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Sot kam vendosur ta shpall Peter Handke non-grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që i ka ofruar Millosheviçit dhe gjenocidit të tij në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë dhe mohimin e gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Komiteti i Nobelit treguan mosrespekt ndaj viktimave të gjenocidit”, ka shkruar Pacolli.
Deklaratat e shkrimtarit kundër shqiptarëve dhe adhurimi i tij për Millosheviçin e kanë vënë atë edhe më parë në qendër të kritikave, por vlerësimi nga Akademia Suedeze ka sjellë reagime të ashpra edhe nga krerët e politikës shqiptare e kosovare, madje edhe asaj ndërkombëtare.
Dje, nismës së Shqipërisë dhe Kosovës për të bojkotuar këtë ceremoni, u janë bashkuar edhe Turqia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut.
Por pavarësisht kundërshtimeve të shumta, Handke, i njohur gjithmonë për deklaratat anti-shqiptare, mori në Stokholm çmimin prej 935,000 dollarësh, mes protestave të dhjetëra personave në kryeqytetin suedez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë