Nga Gazeta ‘SI’ – Në shtator 2025, Shqipëria emëroi ministren e parë në botë, tërësisht digjitale.. Një avatar digjital i quajtur Diella (nga fjala shqipe “diell”) u prezantua nga kryeministri Edi Rama si Ministrja e re e Shtetit, duke premtuar ta bëjë Shqipërinë “një vend ku tenderat publikë janë 100% të paprekur nga korrupsioni”.
Nën utopizmin digjital të Ramës, përgjegjësia për dhënien e tenderëve do të zhvendoset “hap pas hapi” nga ministritë tek sistemet e AI-së, duke zëvendësuar vendimmarrjen e përgjegjshme njerëzore me teknologji që supozohet se janë të pakorruptueshme.
Politologia Vera Tika thotë se avatari i Diellës shërben për të depolitizuar politikën qeveritare për AI. E paraqitur si një grua me veshje tradicionale nga Zadrima dhe e dubluar nga aktorja Anila Bisha, Diella mishëron atë që Tika e quan një “simbolikë gjinore të pastërtisë”. Në një kulturë politike të dominuar nga burrat dhe e zhytur në korrupsion, feminiteti i Diellës dhe retorika e “shërbimit” eklipsojnë faktin se thelbi është një program automatizimi të qeverisjes.
Thirrjet emocionale manipuluese të qeverisë shqiptare – duke pretenduar se ta quash Diellën antikushtetuese “e lëndon” atë, jo për vete “por për shërbimet për qytetarët në e-Albania” – e kornizojnë kritikën si një sulm ndaj vetë transparencës, në vend që të shihet si ajo që praktikisht është: një partneritet publik-privat me kompani amerikane të teknologjisë. Pas pikselave, Diella është një model i madh gjuhësor (LLM) i OpenAI-t, që funksionon në infrastrukturën cloud të Microsoft Azure. Ajo që nisi si Diella 1.0, pa dyshim një bot i dobishëm për shërbimin ndaj qytetarëve në portalin e-Albania, është riemëruar në mënyrë të panevojshme (ndoshta edhe antikushtetuese) si një ministre e plotë kabineti: Diella 2.0.
Duhet të bien kambanat e alarmit. Siç këshillonte i ndjeri deputet britanik Tony Benn, qytetarët duhet t’i bëjnë pushtetit pesë pyetje: Çfarë fuqie ke? Nga e ke marrë atë? Në interes të kujt e ushtron? Para kujt je i/e përgjegjshëm/me? Si mund të të heqim?
Pra, çfarë fuqie ka Diella? Formalisht, ajo do të vlerësojë aplikimet për tenderë publikë dhe do të japë rekomandime për shpenzimet e qeverisë. Megjithatë, ka mungesë serioze qartësie për atë që Diella do të jetë realisht përgjegjëse në praktikë, dhe faqja e kryeministrit i jep sistemit Diella 2.0 një mision të gjerë që përfshin “integrimin e inteligjencës artificiale në sektorët më kritikë të vendit”.
Së dyti, nga vjen kjo fuqi? Jo nga kutia e votimit. Në një video-“fjalim” para parlamentit, Diella pohoi se falë “punës së saj të palodhur”, ajo ishte “zgjedhur” Ministre e Shtetit. Zhurma që pasoi nga deputetët e opozitës e detyroi Partinë Socialiste në pushtet të ndërpriste debatin parlamentar për kabinetin e ri.
Teknikisht, kryeministri është përgjegjës për vendosjen dhe funksionimin e sistemit Diella 2.0. Megjithatë, duke shtuar një anëtare të re të kabinetit bazuar në AI, opozita argumenton se qeveria po merret me teatër politik që mjegullon përgjegjësinë: parlamentet mund të marrin në pyetje ministra, por deputetët nuk mund të mbikëqyrin një avatar digjital pa u dukur para votuesve si një tufë përdoruesish hiper-online të platformës X që zihen publikisht me Grok-un (asistenti digjital i krijuar nga Musk).
Së treti, në interes të kujt shërben sistemi? Publikimi i fundit i Grokipedia-s – një klon i Ëikipedia-s i gjeneruar nga AI dhe në pronësi të xAI të Elon Musk-ut – tregon se si LLM-të mund të trajnohen të prodhojnë përmbajtje të filtruar ideologjikisht që reflektojnë botëkuptimin e zhvilluesve të tyre. Më gjerë, tekno-nacionalizmi në SHBA dhe Kinë po e zbeh gjithnjë e më shumë vijën ndarëse mes kompanive shumëkombëshe private dhe pushtetit shtetëror. Politikat industriale, kontrollet e eksportit dhe instrumente të ngjashme synojnë të bllokojnë vendet brenda “stivave” teknologjike për të fituar ndikim gjeopolitik.
Varësia e Shqipërisë nga infrastruktura e big tech-ut amerikan në qeverisje, pra, ngre pyetje për sovranitetin digjital: A mund të “rregullohej” një sistem tenderësh për të favorizuar disa oferta ndaj të tjerave? A mund të përmbante “dyer të pasme” apo “butona fikjeje” që do të mund të krijonin ndërprerje gjatë negociatave të ndjeshme?
Së katërti, para kujt është e përgjegjshme Diella 2.0? LLM-të si Diella – edhe kur janë pjesë e sistemeve më të mëdha – janë “kuti të zeza”: rezultatet e tyre bazohen në njohjen e modeleve në dataset-e të mëdha dhe në korrelacione statistikore, jo në vendime të qarta, të arsyetuara, që mund të hetohen dhe shpjegohen. Askush nuk do të jetë në gjendje të shpjegojë se si ose pse një model AI zgjedh një ofertë në vend të një tjetre. Kjo mungesë transparence është e brendshme në qasjet e rrjeteve neurale dhe nuk mund të shmanget me inxhinierim.
Së fundi, si mund të çlirohen shqiptarët nga ministrja e tyre e AI-së? A mund ta “shkarkojë” publiku një LLM? Vetëm duke çaktivizuar plotësisht sistemin, gjë që qartësisht do të kërkonte zhvillimin e një sistemi alternativ (diçka që me gjasë do të bëhet më e vështirë me kohën, nëse nëpunësit e kualifikuar që drejtojnë sistemin aktual humbasin vendet e punës). Pa përgjigje bindëse për pesë pyetjet e Benn-it, sistemi Diella 2.0 rrezikon të krijojë varësi teknologjike për Shqipërinë, të cilat mund të jenë shumë të vështira për t’u kthyer pas.
Shkruar nga Joe Litobarski për Euractiv, studiues i historisë së demokracisë elektronike dhe kibernetikës. Ai ka punuar më parë si praktikues në demokracinë digjitale europiane në think tank Friends of Europe dhe bashkëthemeloi platformën e angazhimit qytetar Debating Europe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



