Policia shqiptare ka kthyer mbrapsht në kufi ekstremistin grek, Babis Karathanos, që u përpoq këtë të premte për të hyrë në Shqipëri me rastin e 1-vjetorit të vrasjes në Bularat nga forcat RENEA të ekstremistit grek, Kostandinos Katsifas.
Karathanos është i famshëm për deklaratat e tij antishqiptare, por megjithatë, në kufirin mes dy shteteve nuk është kthyer si person i padëshirueshëm, por për mosplotësim dokumentacioni.
“Nuk ka dokumentacionin e duhur që justifikon qëllimin dhe kushtet e qëndrimit”, është arsyeja me anë të së cilës oficerë të policisë kufitare shqiptare e kanë kthyer mbrapsht ekstremistin grek.

Karathanos tha se me të njëjtin dokumentacion kishte udhëtuar në të gjithë Europën, por jo në Shqipëri.
“Nuk mund të hyj në Shqipëri sepse dokumentet e mia të udhëtimit nuk janë në rregull. Pas disa orësh të shpenzuara në kufi duke u përpjekur për të arritur në Bularat për të marrë pjesë në memorialin e Kostandin Katsifas, ata më ndaluan hyrjen. Me këto dokumente udhëtoj në Europë, por jo në Shqipëri”, shkruan ai.
Ai akuzon drejtpërdrejtë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kërcënon se vendime të tilla mund të kenë pasojë në rrugën europiane për Shqipërinë. Gjithashtu, Karathanos akuzon se sipas tij, minoriteti grek po terrorizohet në Shqipëri.
Babis Karathanos u shoqërua nga policia shqiptare vitin e kaluar pas funeralit të Kostandinos Katsifas, si njëri prej dhjetra shtetasve grekë që lëshuan thirrje ekstremiste antishqiptare në Bularat.

Kostandinos Katsifas u vra nga forcat speciale RENEA më 28 tetor 2018 pasi terrorizoi me armë zonën e Bularatit, ku në shënjestër të tij ishte edhe një patrullë e grupit të gatshëm të policisë së Gjirokastrës. Rasti “Katsifas” shkaktoi reagime në Athinë, ndërsa autoritetet shqiptare thanë se shpallën dhjetra persona “non grata”. Mes tyre ishte edhe ish-eurodeputetja qipriote, Eleni Theocarus.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




