Nga Gazeta ‘Si’– Edhe pse jo gjithmonë perceptohet si i tillë, Donald Trump ka qenë një autor i suksesshëm.
Ai ka shkruar rreth një duzinë librash, ndër të cilët “The Art of the Deal” i cili u rendit në krye të listave të librave më të shitur.
Presidenti amerikan nuk ka lënë pothuajse asnjëherë t’i shpëtojë një mundësi biznesi.
Gjatë dekadave ai ka qenë ndërtues, zhvillues i pasurive të paluajtshme, pronar kazinosh, figurë televizive dhe madje ka tentuar të blejë edhe një ekip të futbollit amerikan.
Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, fokusi i tij është zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt aseteve digjitale, si kriptovalutat dhe tokenët, të cilët kanë kontribuar në rritjen e pasurisë së tij.
Sipas Bloomberg Billionaires Index, pasuria e Trump vlerësohet rreth 7.6 miliardë dollarë.
Megjithatë, baza e perandorisë së tij ekonomike mbetet e mbështetur mbi dy shtylla kryesore: pasuritë e paluajtshme dhe marka “Trump”. Ai ka dhënë me licencë emrin e tij për dhjetëra projekte luksoze hotelesh, rezidencash, fushash golfi dhe kullash në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.
Në shumë raste, Trump nuk është pronar i drejtpërdrejtë i këtyre projekteve, por përfiton tarifa të konsiderueshme duke licencuar emrin e tij si simbol luksi. E gjithë kjo veprimtari administrohet nga The Trump Organization, kompania familjare që aktualisht drejtohet nga djemtë e tij, Eric Trump dhe Donald Trump Jr., përmes një trusti familjar.

Sipas organizatës monitoruese Open Secrets, fakti që asetet menaxhohen nga familja dhe jo janë shitur apo vendosur në një trust të pavarur krijon mundësinë që Trump dhe familja e tij të përfitojnë financiarisht edhe gjatë ushtrimit të detyrës publike.
Portofoli i The Trump Organization përfshin më shumë se një duzinë hotelesh në vende si Nju Jorku, Irlanda, Skocia, Omani, Vietnami dhe Maldive, si edhe mbi 20 fusha golfi publike dhe private në mbarë botën. Kompania zotëron ose administron gjithashtu rreth 40 kulla dhe komplekse rezidenciale luksoze, ndërsa vetëm në zonën Nju Jork–Nju Xhersi ka 16 ndërtesa të tilla.
Marka “Trump” është një tjetër burim i rëndësishëm fitimi. Përveç licencimit të emrit për projekte të ndryshme, kompania shet edhe produkte me logon e presidentit amerikan. Një bluzë polo me markën Trump kushton rreth 80 dollarë, ndërsa një kapele sportive 36 dollarë.
Sipas deklarimit financiar të publikuar së fundmi, kompania ka realizuar mbi 635 milionë dollarë të ardhura nga monedhat përkujtimore të presidencës Trump, rreth 5 milionë dollarë nga shitja e orëve me markën Trump dhe mbi 200 mijë dollarë.
Ndërkohë, grupi po zhvillon edhe projekte të reja në Indi, Oman, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Indonezi, Gjeorgji dhe Rumani.
Ndryshe nga mandati i parë presidencial, kur Trump deklaronte se nuk do të nënshkruante marrëveshje të reja biznesi jashtë SHBA-së, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë ai ka ndryshuar qasje. Në një intervistë për The New York Times, ai u shpreh se kishte kuptuar se “askujt nuk i interesonte” fakti që kishte kufizuar aktivitetet e tij biznesore gjatë mandatit të parë.
Open Secrets thekson se asnjë president modern amerikan nuk ka kaluar kaq drejtpërdrejt nga biznesi në presidencë, pa u shkëputur plotësisht nga interesat e tij financiare, gjë që ka nxitur debate të vazhdueshme mbi konfliktin e mundshëm të interesit.
Perandoria e Trump është forcuar më tej edhe përmes marrëdhënieve me monarkitë e Gjirit. Gjatë mandatit të dytë ai zhvilloi një tur në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, vende ku familja Trump ka zgjeruar bashkëpunimet me zhvillues të mëdhenj dhe investitorë.
Një tjetër drejtim i ri është tregu i kriptovalutave.
Pak përpara rikthimit të Donald Trump në presidencë, djemtë e tij lançuan platformën World Liberty Financial. Pas vizitës presidenciale në Lindjen e Mesme, kompania siguroi investime të rëndësishme.
Sipas raportimeve, një fond i lidhur me drejtues të Abu Dhabit përdori kriptovalutën e mbështetur nga Trump për të realizuar një investim prej 2 miliardë dollarësh në bursën e kriptovalutave Binance.
Edhe fëmijët e presidentit po zgjerojnë aktivitetet e familjes në Europë. Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë propozuar zhvillimin e një kompleksi luksoz hotelesh dhe rezidencash në bregdetin shqiptar.
Projekti ka ngjallur debat dhe kundërshtime nga një pjesë e komunitetit lokal.
Sipas The New York Times, djemtë e Trump investuan gjithashtu në një kompani minerare pak para se administrata amerikane të nënshkruante një marrëveshje me Kazakistanin për shfrytëzimin e një prej depozitave më të mëdha të tungstenit në botë, një zhvillim që ka tërhequr vëmendjen për shkak të kohës kur u realizua investimi./ El Pais
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje