Ngjarje

Përtej çdo imagjinate! Kompania call-center në Tiranë u kërkon punëtorëve kamera edhe në dhomë të gjumit

Pandemia e Covid-19 ka sjellë ndryshim të mënyrës së të jetuarit dhe të punuarit të gjithkujt prej nesh. Por ajo çfarë ka bërë një kompani call-center në Tiranë shkon përtej imagjinatës. Kompania “Teleperformance” u ka kërkuar punëtorëve të saj instalimin e detyrueshëm të kamerave në shtëpitë e tyre, përfshi edhe ambientet private, si: dhoma e gjumit etj., në varësi të mundësive të tyre materiale dhe rrethanore për ta kryer punën në distancë.
Vendimi i kompanisë vjen për shkak të pandemisë, ku si rrjedhojë, për pjesën më të madhe të punonjësve të qendrave të kontaktit (call-centers) puna është zhvendosur në shtëpi. Ky veprim është në shkelje me ligjin dhe cenon rëndë të drejtën e privatësisë për mijëra punëtorë të kësaj kompanie.
Ky zhvillim ka krijuar shqetësime të shumta mes punëtorëve, të cilët kanë nisur një peticion për parandalimin e detyrimit në fjalë.
“Në kushtet kur ky vendim që shkel privatësinë po fillon që të zbatohet nga ana e kompanisë, Sindikata Solidariteti është angazhuar në rrugë institucionale dhe organizative për të parandaluar këtë veprim të paligjshëm dhe të padrejtë”, theksojnë përfaqësues të Sindikatës Kombëtare të Qendrave të Kontaktit “Solidariteti”.

“Sipas pikës 4, shkronjës a, të Udhëzimit nr.3 të datës 05.03.2010 i cili i referohet ligjit 9887, ndër të tjera thuhet specifikisht edhe se instalimi i një sistemi video survejimi është i ndaluar në dhoma që përdoren ekskluzivisht për qëllime private”, shprehet kryetari i kësaj sindikate, Tonin Preçi.
Sipas tij, një veprim i tillë është në kundërshtim edhe me konventat e ndryshme ndërkombëtare siç është Neni 8 i Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë