Filma

Personazh “gay”, Turqia ndalon xhirimet e serialit të Netflix

Turqia ka bllokuar xhirimet e një seriali të Netflix dhe shkak për këtë, sipas skenaristes së filmit është bërë përfshirja e një karakteri homoseksual në të.

Skenaristja Ece Yorenc tha se Netflix u tërhoq nga filmimet e “Sikur” (If Only) pasi qeveria turke refuzoi që t’i japë leje për të xhjiruar.

“Për shkak të një karakteri gej, leja për të filmuar seritë nuk u dha dhe kjo është shumë frikësuese për të ardhmen”, deklaroi Yorenc për mediat turke.

Netflix e konfirmoi versionin e shkrimtares turke, por dëshiroi që të mos i hedhë benzinë zjarrit dhe ta kalojë në heshtje këtë “incident”. Ky qëndrim i kompanisë amerikane lidhet me faktin se aktualisht ajo ka një sërë serialesh dhe filmash në prodhim e sipër, si bashkëpunime me artistët turq, bashkëpunime që kanë korrur sukses ndërkombëtar, nga i cili Netflix nuk kërkon që të heqë dorë.

Seriali “Sikur” duhej të tregonte historinë e Reyhan, një nënë e dy binjakëve jo e lumtur nga martesa e saj, që transportohet befas 30 vite pas në natën kur i propozoi bashkëshorti.

Yorenc thotë se në skenar nuk parashikohen skena homoseksuale dhe as kontakte fizike mes burrave gej, apo karaktereve të tjera. Megjithatë, autoritetet turke kërkuan rishikimin e skripteve dhe heqjen e karaktereve homoseksuale për të lejuar xhirimet. Një vendim i tillë do të vendoste Netflix në qendër të akuzave të shoqatave dhe organizatave LGBT. Për të shmangur këtë, kompania vendosi që të tërhiqet fare nga realizimi i serialit.

Ndërkohë, zëvendëskryetari i partisë në pushtet në Turqi, Mahir Unal postoi në Twitter se “shpresonte se në të ardhmen Netflix do të tregohej më i ndjeshëm ndaj kulturës dhe artit turk”.

Homoseksualiteti ka qenë i ligjshëm në historinë moderne të TUrqisë, por ka një rritje të qëndrimeve zyrtare kundër vitet e fundit, duke filluar që më ndalimin për të pestin vit me radhë të “Istanbul Pride”.

Netflix tha se do t’i qëndrojë me vendosmëri zotimeve të ndërmarra ndaj publikut turk dhe komunitetit të artistëve atje, deklaroi se aktualisht janë një sërë prodhimesh në faza finale dhe tha se do të vazhdojë bashkëpunimet e këtij lloji në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë