Mendim

Përse vrasin policët?

“Ishte ora 2 e mëngjesit kur dëgjova zilen e telefonit. Ende pa hapur mirë sytë, dëgjova time bijë që më thoshte me gjysmë zëri: ‘Babi, duhet të shkosh në spital!’ U zgjova me zemër me ngrirë dhe e pashë lotët që i rridhnin nëpër faqe. E mora me mend se kishte ndodhur diçka e keqe.” Kështu e rrëfen Majkëll Bell, momentin kur mësoi se djali i tij ishte qëlluar nga një oficer policie, në vitin 2004. Njëzet një-vjeçari Majkëll Bell Jr vdiq atë natë, pasi u qëllua me plumb në kokë nga një oficer policie. Në orët e dhimbshme që pasuan, babai i tij priste që hetuesit e pavarur të vinin në vendin e ngjarjes dhe të zbulonin pse kishte ndërruar jetë i biri.  Natyrisht, asnjë ekip i pavarur nuk arriti të kryejë një analizë mjeko-ligjore të vdekjes së të riut. Në vend të kësaj, departamenti i policisë në Kenosha të SHBA-së kaloi dy ditë duke hetuar oficerët, para se të vendoste se vrasja e Majkëllit ishte e justifikuar, pasi ai nuk i kishte ndaluar në kohë patrullës së policisë.

Dhuna fatale e policisë në SHBA lidhet shpesh me racizmin dhe padrejtësitë, pasi shumica e viktimave janë afrikano-amerikanë. Zoti Bell nuk fajëson oficerin që i mori jetën të birit, i cili kreu vetëvrasje disa vite më vonë. "Ai bëri një gabim - shprehet Bell- Problemi është tek departamenti i policisë që e mori në mbrojtje.”

Edhe pse kanë kaluar plot 14 vjet, vrasjet nga oficerët e policisë në SHBA nuk janë ndalur. Për vitin 2017 dhe gjysmën e parë të 2018-ës, oficerët qëlluan më shumë se 1000 persona. Policia përdori dhunë fatale pasi hasi persona të armatosur me thika ose armë, duke vrarë 735 prej tyre vetëm në vitin 2017.  Kjo do të thotë se çdo shtatë orë e gjysmë, policia në Amerikë qëllon për vdekje një civil. Nëntorin e kaluar, një banor i qytetit të Oklahoma, Dustin Pigeon, kërcënoi se do t’i vinte flakën një supermarketi. Pa u menduar dy herë një oficer policie e qëllloi me pese plumba, duke u raportuar kolegëve në radio se ishte i armatosur. Pas vrasjes së tij, ai zbuloi se vetmja gjë që kishte ne dorë ishte një lëng frutash.

Disa muaj më vonë, një gazetare afrikano-amerikane,Tonia Jameson, po ndërronte targat e makinës, kur një oficer jashtë detyrës e akuzoi për vjedhjen e makinës dhe i drejtoi armën. Ajo nuk guxoi të lëvizte as edhe një muskul, duke kujtuar se njerëzit me ngjyrë mund të vdesin në situata si kjo. “Nëse ai më vriste, askush nuk do ta dinte se çfarë ndodhi me të vërtetë”, deklaroi ajo për mediat amerikane. Tonia u mundua t’i shpjegonte oficerit të policisë se kishte në makinë dokumentet e pronësisë, por ai vazhdoi t’i drejtonte armën dhe bëri thirrje për përforcime. Pasi u dërgua në rajon, ajo i shpjegoi me gjysmë zëri situatën oficerit përgjegjës dhe polici që e ndaloi u pezullua nga detyra. Por rrëfimi i saj në media ngjalli një sërë reagimesh ekspertët, të cilët bënë thirrje për ndryshime rrënjësore në trajnimin e oficerëve të policisë.

Juan Gilbert, shefja e departamentit të policisë në Florisa, filloi të gërmonte mes të dhënave për vdekjet që kishin ndodhur gjatë përballjes me forcat e policisë. Ajo zbuloi shumica kishin ndodhur gjatë ndalesave në rrugë. "Ne studiuam me kujdes këto tragjedi të- tha Jones- Pyetëm veten se ku filluan telashet dhe zbuluam se situata bëhej e rrezikshme kur shoferët ndaloheshin nga patrullat e policisë gjatë natës. Për shembull, kur një oficer ecën përgjatë një makine të parkuar, ai nuk mund të shohë duart e shoferit. Një situatë e tillë çon në një keqkuptim vdekjeprurës. Për t'i bërë gjërat edhe më keq, konfrontimet ndodhin shpesh pranë një autostrade me makina që ecin me më shumë se 120 kilometra në orë”.

Si ndodhin vrasjet?

Konfrontimet vdekjeprurëse mes policisë dhe qytetarëve kanë filluar që në Epokën e Xhazit, kur oficerët ndalon pothuajse çdo makinë për të kontrolluar nëse shoferët ishin duke fshehur uiski në makina. Por sot makinat ndalohen për kauza minimale, si për mos ndezjen e sinjalit ose për kalime minimale të shpejtësisë. Një oficer policie në SHBA ka të drejtë të kërkojë mjetet e identifikimit, të kontrollojë mes sendeve të shoferit dhe të kontrollojë makinën. Por nëse ai krijon përshtypjen se qytetari nuk po tregohet bashkëpunues, bëhet agresiv, i drejton armën , e nxjerr me forcë nga makina dhe në rastet më fatkeqe, e qëllon për vdekje. Sipas Byrosë së Statistikave të Drejtësisë, rreth 26 milionë amerikanë u nxorën me forcë nga mjetet e tyre në vitin 2017, kryesisht të rinj nga 16 vjeç e lart. Një sërë avokatësh të drejtave të njeriut shprehen se metodat e ndalimit të shoferëve nga patrullat e policisë nxisin frustrim dhe ankth tek qytetarët, sidomos tek afrikano-amerikanët. Një nga aspektet më frustruese të këtij problemi është se zyrtarët policisë duket se nuk mësojnë nga gabimet.

Policët nuk dënohen

Pavarësisht shifrave alarmante, pak oficerë policie përballen me gjyq për vrasjen e civilëve, e lëre më të dënohen. Vitet e fundit, vrasjet e afrikano-amerikanëve të paarmatosur në të gjithë Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar zemërim dhe shqetësime mbi përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Por pavarësisht rasteve të profilit të lartë dhe publikimit të dhjetëra videove që dëshmojnë vrasjen e tyre, dënimet janë të rralla. Sipas “CNN, nga viti 2005 deri në vitin 2017, 80 oficerë janë arrestuar për vrasje gjatë kohës që janë në detyrë. Gjatë kësaj periudhe 12-vjeçare, vetëm 35% e tyre janë dënuar, ndërsa pjesa tjetër janë lënë të lirë.

Rasti më flagrant ishte ai vrasjes së një 32-vjeçari nga Minesota, i cili u qëllua për vdekje në makinën e tij nga oficeri i policisë, Jeronimo Yanez, në korrik të vitit 2016. E dashura e tij, transmetoi live konfrontimin dhe tha se viktima po përpiqej të merrte mjetet e identifikimit, kur ai u qëllua nga oficeri i policisë. Por pavarësisht bujës së madhe në internet, juria e liroi Yanez nga akuzat për vrasje të shkallës së dytë. Familjes së tij ju dha një dëmshpërblim prej 3 milion dollarësh, por ata refuzuan t’i pranonin.

https://www.youtube.com/watch?v=p5Pt1nkw3Mk

Michael Scott, ish-shef i policisë se Arizonës shprehet se autoritet nuk e dinë saktësisht se sa oficerë përfshihen në sulme ndaj qytetarëve, sepse policia nuk ka ende një sistem raportimi kombëtar që dokumenton të gjitha krimet e policëve në detyre. “Megjithatë, nuk mund të mjaftohemi me gjetjen e fajtorit, por duhet të pyesim gjithashtu veten: ‘Pse ndodhi kjo?’ Derisa t'i përgjigjemi kësaj pyetjeje, njerëzit e pafajshëm do të vazhdojnë të vdesin në duart e policisë”, shprehet ai.

Burimet: "New York Times", "CNN" 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë