Me ardhjen e dozave të para nga kompania farmaceutike Pfizer, kryeministri Edi Rama pranoi ditën e djeshme se Shqipëria nuk ka shpresa të marrë së shpejti vaksinat nga Covax. Kreu i qeverisë kishte qenë deri më tani një nga mbështetësit më të mëdhenj të nismës së OBSH-së dhe fondacionit të Bill Gates, por raportet se Covax po shkon drejt dështimit duket se kanë shërbyer si kambanë alarmi për qeverinë.
Nga aeroporti, kur priti vaksinat e para të Pfizer, kryeministri Rama deklaroi se nga marrëveshja me COVAX nuk ka “asgjë në horizont”, duke kritikuar mes të tjerash edhe Bashkimin Europian, i cili po ashtu do t’i dhurojë vaksinat vendeve të Ballkanit nëpërmjet kësaj nisme.
Rama tha se Shqipëria është në komunikim edhe me Astrazenecën dhe me 4 shtete të tjera, brenda dhe jashtë BE-së për të siguruar vaksina të kompanive të ndryshme, sepse nuk mund të vazhdojë të presë nga Covax.
Rama nuk i kurseu kritikat për BE-në, duke theksuar se Europa ka hyrë në një kaos, jo vetëm nga Astrazenerca, por edhe vende të tjera të mëdha që kërcënojnë me ndjekje në rrugë ligjore. "I them për të mos harruar që sidoqoftë ne jemi në kushtet kur procesi i vaksinimit e kemi garantuar dhe do ta vazhdojmë falë faktit që nuk e lamë veten në dorë të të tjerëve, nuk pritëm COVAX, është ende në një proces që nuk duket se ku e ka fillimin. Jemi në kontakt, të vazhdueshëm, por edhe ata nuk janë të qartë dhe nuk japin një sinjal qartësi”, deklaroi kryeministri.
Asnjë zyrtar i Komisionit Europian nuk është në gjendje të japë përgjigje se kur mund ta presë Ballkani Perëndimor mbështetjen e premtuar nga unioni për vaksinim. Deri më tani, KE thotë se i qëndron deklaratës së Ursula Von der Leyen para dy javëve kur deklaroi se dozat e para të vaksinave do t’i dhurohen “sa më shpejt të jetë e mundur” rajonit.
Por konfuzioni dhe tensionet që sundojnë në BE rreth strategjisë me vaksinimin dhe përplasjet me Astrazenecën duket se po reflektohen edhe në ndihmën e premtuar për Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Europian ka kontribuar me 400 milion euro për të mbështetur Covax, por sipas Reuters, nisma nuk pritet të bëjë të mundur shpërndarjen e dozave para verës. I vetëdijshëm për këto lëshime, Komisioni Evropian së fundmi doli me një nismë për “mekanizëm për ndarjen e vaksinave”, por as për këtë mekanizëm nuk janë vendosur afate.
Burime nga Komisionin Europian thonë se BE nuk do të mund të sjellë vaksina në vendet e Ballkanit para gjysmës së dytë të vitit 2021, duke e detyruar rajonin të vihet në lëvizje. Vendet anëtare të BE-së së pari duhet të marrin doza të mjaftueshme masive të vaksinave që të mund të pranojnë t’i shpërndajnë, dhurojnë apo rishitur. Tani për tani duket se për vendet jashtë BE-së opsion më i mirë është të përpiqen të lidhin marrëveshje dypalëshe me vendet anëtare të unionit, sepse disa prej tyre janë të gatshme për ndarje nga të tjerët.
BE shpreson të paktën që nëpërmjet COVAX të shpërndajë më shumë se 1 milion doza në Shqipëri, por kjo nismë po përballet me probleme me financimin dhe furnizimit me vaksina. Në tetor, qeveria shqiptare ka kërkuar që të blejë një milion e njëqind e dyzet mijë doza vaksine anti-covid duke nënshkruar një marrëveshje me ‘Covax Facility’, kompani me qendër në Gjenevë të Zvicrës e financuar nga Gates. Ajo ka pronotuar sasinë e vaksinave që nevojiten për 20% e popullsisë. Sipas aktmarrëveshjes që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, një person do të marrë dy doza vaksine dhe sasia prej 1.14 milionë dozash do të shërbejë për rreth 570 mijë shqiptarë.
Shuma totale që Shqipëria po i jep Covax është 3.99 milionë dollarë, një shumë parash do të rrijë e 'ngrirë' nga pala shqiptare deri në marrjen e vaksinës. Por pavarësisht zotimit të zyrtarëve të OBSH se Covax do të niste shpërdarjen në fund të janarit, nisma duket se ka mbetur shumë prapa në sigurimin e vaksinave.
Pasi Pfizer iu bashkua këtij mekanizmi, OBSH ka akuzuar vendet e pasura për grumbullimin e dozave dhe ngritjen e çmimeve, duke penguar kështu punën e Covax. Nisma sapo mori një hov të madh pasi administrata e Presidentit Joe Biden njoftoi se do të mbështesë skemën, por ekspertët dhe aktivistët kanë vërejtur se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme.
Skema Covax, po përballet me një sërë sfidash, duke përfshirë një mungesë të dozave të vaksinave të miratuara. Vaksinat më të lira dhe më të lehta për t’u transportuar nga skema e përbashkët, përfshirë vaksinën e Universitetit të Oksfordit-AstraZeneca, kanë qenë më të ngadalta në testimin dhe marrjen e miratimit nga rregullatori.
Për të përmbushur synimin e saj për të vaksinuar të paktën 20% të njerëzve në vendet e varfra vitin e ardhshëm, Covax thotë se i duhen 4.9 miliardë dollarë përveç 2.1 miliardë dollarëve që ka mbledhur tashmë.
"Rreziku i dështimit të Covax është shumë i lartë," thotë një raport i brendshëm për bordin e Gavi. Raporti dhe dokumentet e tjera të përgatitura nga Gavi po diskutohen në mbledhjet e bordit në 15-17 dhjetor. Dështimi i kësaj nisme të miliarderit Bill Gates mund të lërë disa njerëz pa qasje në vaksina deri në vitin 2024, thotë një nga dokumentet.
Rreziku i dështimit është më i lartë sepse skema u krijua kaq shpejt, duke operuar në "territor të pa eksploruar", thotë raporti.
Vendet më të pasura, të cilët shpesh kanë investuar në zhvillimin e vaksinave, kanë para-rezervuar shumë prej grupeve të hershme të vaksinave, duke i lënë kështu vende si Shqipëria “duarbosh”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.