Ngjarje

Përreth qytetit, kur festojnë fëmijët në 1 qershor

Anxhela Celanji - “Fëmijët janë duart me të cilat prekim parajsën”, thotë një thënie. E kujtoj teksa nisem për një shëtitje, shikoj që rrugët janë të bllokuara dhe mendoj me vete se mos është një tjetër protestë, por tek bëj më tutje në sheshin Skënderbej shoh që atje festohet. Atëherë u kujtova që sot është një ditë e veçantë, ndoshta një ndër më të veçantat, sot është dita e fëmijëve dhe nuk kishte si të ishte ndryshme veçse me festime. Me kuriozitet i afrohem stendave që ishin ngritur në shesh. Disa fëmijët aty afër gjithë lumturi më thanë se do të kishte shumë aktivitetet për ta.

Afrohem në një prej stendave dhe shoh një marangoz që po i mësonte një vajze të vogël si të ndërtonte një kafaz për zogjtë. 5 vjeçarja ishte shumë e entuziazmuar për atë që po mësonte, ndërsa përreth saj rrinin fëmijë të tjerë që shpesh herë zgjasin kokën për të parë se si po punonte marangozi. Tek sa eci më tej shoh disa të rinj që po dhuronin lule të ndryshme për fëmijët tyre. Afrohem dhe pyes se çfarë kishin organizuar për 1 Qershorin, dhe marrë një përgjigje një zë prej tyre.

“Lule dhe shumë dashuri”. Nxënësja Ledjana Dishani nga gjimnazi “Partizani” me shpjegoi se nxënësit e shkollës së bashku me mësuesit, merrnin pjesë gjithmonë në aktivitetet që organizonte Eco Tirana, për festa dhe evenimente të ndryshme. Sipas saj kjo nismë ishte një ndër gjërat më të bukura që ajo kishte ndërmarrë, sidomos sot në ditën e fëmijëve. Por, dukej që sot qyteti i Tiranës, nuk do të pushonte së festuari, anë e mbanë kishte programe edukative, por edhe argëtuese, të cilat tërhiqnin vëmendjen e çdo kalimtari. Gjithashtu, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit kishte ndërmarrë një nismë të veçantë. Juni Plaku, një prej përfaqësueseve të agjencisë, më tregoi se përpos ditës së sotme, fushata e tyre që kishte qëllim rritjen në mënyrë të shëndetshme të fëmijëve kishte nisur prej kohësh.

“Gjatë gjithë kohës ne jemi nëpër shkollat e Tiranës, me nismën “Merr bukë me vetë”. Një nismë që ka për qëllim të nxisë fëmijët të hanë shëndetshëm me ushqime që e gatuajnë prindërit,” shtoi Plaku.
Ndërsa pak më tutje shoh disa fëmijë që po përpiqeshin të gatuanin vetë. Gjyshe Moza ishte shumë e entuziazmuar që po shihte mbesën e saj tek hapte petë. Kur i’u afrova për ta pyetur, ajo në moment më tha “a nuk janë të bukur të gjithë, shikoi sa të mirë janë". E vërtet nuk kishte asnjë fjalë për të shtuar më shumë.

Ky aktivitet ishte pjesë e restorantit Luga e Argjendë dhe organizatorja Dhurata Thanasi, më tregoi se ata ishin në shesh sot për të nxitur fëmijët të konsumojnë ushqime të shëndetshme, duke u larguar kështu nga ushqimi i rrugës.
“Jemi të gjithë së bashku dhe kemi në fokus edukimin për mirëushqyerjen e fëmijëve, por mbi të gjitha t’i edukojmë që të mësojnë teknikat e gatimit dhe të njohin frutat dhe perimet, gjithashtu edhe procesin e mbjelljes,” shtoi Thanasi.

Pjesë e aktiviteteve gjithashtu ishte edhe kompania Insifa, e cila është një prej kompanive të para në vendin tonë që prodhon ëmbëlsira. Anëtari i bordit drejtues Edvin Osmani më shpjegoi se ata ishin në shesh ditën e sotme për fëmijët. Duke nisur nga produkti i quajtur “cambele” me shije të ndryshme dhe shumë ëmbëlsira të tjera, do t’i jepen çdo fëmije që i afrohet stendës si një dhuratë nga kompania. Ndër të tjera Osmani më tregoi se të gjitha produktet janë të shëndetshme, pasi është tepër e rëndësishme për ta shëndeti i fëmijëve, gjithmonë e jo vetëm në këtë ditë. Kur bëj për të shkuar nga bashkia, pashë që lulishtja e madhe e sheshit ishte e mbushur me piktore të vegjël, ndërkohe që përgjatë rrugës nuk mungonin edhe shitësit e karameleve.
Panairi në bulevard më bëri të ndjehem edhe unë një fëmijë. Nëpër stendat e vendosura nga të dyja anët, së bashku me fëmijët sot festonin edhe ushtria dhe policia e shtetit. Më tej shoh se lulishtja e Tajvanit ishte kthyer në një kënd lojërash, gjithashtu në mes tyre ishte edhe në skenë ku të vegjlit mund të tregonin aftësitë e tyre në kërcim dhe këndim.

Libra, ushqime, lodra të ndryshme, panairi përmbante një mori produktesh vetëm për të festuar më fëmijët. Mes tyre ishin edhe një grup vajzash nga organizata “Rinia në Komunitet”. Koordinatori i tyre Trëndafil Brati më tregoi se vajzat ishin aty për një qëllim të veçantë. Ato do të shisnin ëmbëlsira të cilat i kishin bërë vetë dhe paratë që do të mblidheshin, do të shkonin për njerëzit në nevojë. Kaq shumë pozitvitet dhe kaq shumë argëtim në këtë ditë sa që unë do të doja përsëri të isha një fëmijë. Duke qenë kureshtare, për të parë edhe aktivitetet e tjera u nisa për në parkun e Liqenit të Tiranës. Më dukej se sot edhe unë isha përfshirë në entuziazmin e fëmijëve. Kur mbërrij atje shoh që fëmijët ishin më të qeshur se kurrë. Ndryshe nga prindërit që diskutonin për aktivitetet e ndryshme në qytet, atyre nuk i’u interesonte asgjë tjetër përveç se të ishin të lumtur.
Në kuadër të kësaj dite edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka lançuar nismën më të fundit, atë të krijimit të "Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë", një nismë që ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve në vend, rritja e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike, si dhe angazhimi i shtuar i tyre në vendimmarrje.
Vendosa të qëndroj në park për të parë fëmijët se si luanin dhe gëzonin. Në atë moment m’u kujtua kënga e një vajze të vogël teksa vija për tek liqeni. Ajo këndonte “e bukur si kënga na rreh edhe zemra ne e ardhmja jemi”. E në të vërtet ata janë e ardhmja, janë pasuria më e madhe e një vendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë