Kosova

Përplasjet në Slloveni, Vuçiç kërkoi që deklarata e Samitit të fshinte Kosovën nga harta

Bashkimi Europian duhet të përshpejtojë procesin e anëtarësit dhe duhet të hapë sa më parë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky ishte një nga përfundimet në deklaratën e përbashkët të presidentëve të Ballkanit Perëndimor nga samiti i dhjetë në procesin Bërdo-Brioni në Slloveni.

Kjo në fakt ishte gjëja e vetme për të cilën mund të binin dakort liderët e Ballkanit. Edhe pse pritej një takim i qetë dhe formal, presidentet patën një sërë përplasjesh të ashpra në lidhje me ndryshimin e kufijve të Ballkanit dhe pavarësinë e Kosovës.

Për presidenten Vjosa Osmani, kjo ishte përballja e parë me kreun serb Aleksandër Vuçiç, por edhe pse nuk kishin një takim kokë më kokë, dy liderët u përplasën ashpër për krimet serbe në Kosovë si dhe kufijtë.

Përplasja filloi pasi disa nga presidentët në samit morën iniciativë në fillim për të miratuar disa konkluzione sipas të cilave kufijtë në rajon janë të pandryshueshëm. Këto konkluzione u kundërshtuan ashpër nga Vuçiç dhe anëtari i presidencës boshnjake Milorad Dodik. Presidenti serb tha se kufijtë nuk duhet të ndryshojnë dhe duhet të qendrojnë siç janë përcaktuar nga rezoluta 1244 e OKB-së e cila siç theksoi ai, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Presidenti serb kërkoi kështu që presidentët e Ballkanit Perëndimor, së bashku me atë kroat dhe atë slloven, të dilnin me një deklaratë të përbashkët që e cilësonte Kosovën pjesë të kufirit serb.

"Serbia gjithmonë ka qenë e përkushtuar që të mos ndryshojë kufijtë," tha Vuçiç. Ai deklaroi se iniciativa e Serbisë nuk u pranua. "Kufijtë nuk duhet të ndryshohen, në përputhje me rregullat e vendosura nga Kombet e Bashkuara," vuri në dukje ai. Kufijtë për Serbinë nuk ndryshojnë, përveç atyre të pranuar nga OKB, cila nuk e njeh Kosovën. "Ata do të dëshironin të interpretojnë kufijtë siç u pëlqen, dhe jo siç interpretohen nga ligji ndërkombëtar dhe OKB, dhe ne jemi përpjekur të gjejmë një kompromis në përputhje me rrethanat," tha ai.

"Shqiptarët nuk dëshironin të flisnin për OKB-në me çdo kusht, nuk mund të flasim ndryshe, është absolutisht e pamundur," nënvizoi Vuçiç.

Kjo iniciative është kritikuar ashpër nga Presidentja Osmani,  e cila iu përgjigj presidentit serb duke thenë se përpara se të flasë për kufijtë duhet të flasë për mijëra të pafajshmit e vrarë nga ushtria serbe në Ballkan. Ajo tha se kishte ardhur koha që Serbia të paditej për gjenocid, deklarata që duket se tensionuan presidentin serb.

“Duhet të flasim për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat. Dhe më e rëndësishmja, duhet të flasim pse nuk janë prapa hekurave autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviçit”, tha Osmani në prani të Vuciç. “Përtej detyrës sime si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore e imja të flas të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në vendin tonë.  Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviçit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.  Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, ka theksuar presidentja Osmani.

 “Lidershipi i përgjegjshëm dhe i guximshëm kërkon refuzim të vendosur të një gjenocidi të tillë”, ka theksuar Osmani duke iu referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Vuciçit.

Në takim, i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, kundër iniciativës së presidentit serb folën edhe presidenti kroat, Zoran Milanoviç, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Duke folur pas përfundimit të Samitit në Slloveni, Osmani tha se Vuçiç insistonte që ndryshimi i kufijve të vendeve të Ballkanit Perëndimor t’i lihej vetëm shteteve anëtarëve që janë pjesë e OKB-së, duke e fshirë kështu nga harta Kosovën si shtet të pavarur. Sipas saj, përplasja ka ndodhur kur ajo dhe Shefik Xhaferoviç, anëtar i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, kanë folur për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë dhe në Bosnje.

“Kur ne folëm për këto krime, erdhi kundërshtimi i Vuçiçit. Ne folëm qartë për krimet e kryera edhe në Bosnje edhe në Kosovë dhe kjo e pengoi Vuçiçin”, theksoi Osmani.

 “Unë isha e qartë që Serbia do të ecë përpara vetëm kur e pranon shtetin e Kosovës dhe vetëm kur do t’i vërë prapa grilave kriminelët. Vuçiç kishte qasje tjetër dhe kjo është për të ardhur keq”, shtoi tutje Presidentja.

Nga ana tjetër, Vuçiç deklaroi se në takim kishte mospajtime, vërejtje e tension, por tha se është mësuar me këtë.

 “Sa i përket Serbisë, ne kemi pranuar përfundimet e propozuara. Ajo që është më e rëndësishmja për ju dhe për të cilën ekziston një konsensus është se i gjithë rajoni është në rrugën evropiane. Ne gjithashtu mbështetëm synimet për të hapur një datë për negociata… Kishte shumë gjëra për të cilat nuk ranë dakord dhe një nga çështjet kryesore është çështja e ndryshimit të kufijve. OKB është i vetmi organ në botë për të cilin mund të biem dakord dhe ne jemi të kënaqur me pjesën tjetër të tekstit. Të tjerët kërkuan shumë më tepër. Ne patëm një takim të mirë, por edhe me shumë vërejtje, dublikata, por tashmë jemi mësuar me këtë”, tha Vuçiç.

Presidenti serb pranoi se asnjë vend tjetër i Ballkanit nuk ishte dakort lidhur me atë që u diskutua për mos ndryshimin e kufijve.

“Ne nuk ramë dakord për çështjen e ndryshimit të kufijve. Serbia është në favor të parimit të pandryshueshmërisë së kufijve, por disa prej tyre u kujtuan në vitin 2021 se kufijtë nuk duhet të ndryshohen. Serbia kërkon që ky parim të zbatohet gjithmonë në përputhje me statutet e OKB-së. Pra, nuk mund t’i ndryshonin kufijtë as në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë”, tha Vuçiç.

Sipas mediave rajonale. Presidenti Meta i ka dalë në mbrojtje presidentes Osmani duke theksuar se pavarësia e Kosovës është një çështje e mbyllur dhe rruga e vetme përpara është integrimi europian.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Europian, pa vonesa të mëtejshme, është një mbështetje për rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës.

Më tej Meta, shkruan se Shqipëria do ta mbështesë dialogun Kosovë-Serbi dhe një marrëveshje përfundimtare detyruese, gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe do të kontribuojë në paqen rajonale, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët europiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë