Ka ndodhur

Përmirësohet situata e reshjeve në vend, por juglindja zbardhet nga dëbora

Pas reshjeve të shiut dhe dëborës me një intensitet të lartë, orët e fundit kanë sjellë një përmirësim të motit një pjesë të mirë të vendit.

Situata e shkaktuar prej reshjeve është përmirësuar, me përjashtim të zonave malore, ku bora dëbora ka shkaktuar probleme me qarkullimin e mjeteve dhe furnizimin me energji elektrike.

Në qarkun e Shkodrës janë ndërprerë reshjet, por disa hektarë tokë bujqësore në zonën e Bushatit mbeten ende nën ujë.

Problem mbetet në këtë qark zonat malore dhe në veçanti segmenti Qafë Thore-Bogë-Theth kalohet vetëm me zinxhirë.

Situata është përmirësuar edhe në qarkun e Lezhës, ndërsa gjatë natës është bërë edhe pastrimi i aksit Lezhë-Ungrej, i cili një ditë më parë për shkak të rrëshqitjes së gurëve dhe dherave mbeti i bllokuar duke izoluar totalisht banorët e 9 fshatrave.

Në qarkun e Korçës vijojnë ende reshjet e dëborës. Shtabi i emergjencave raporton se në rrugën e Dardhës ka 10 deri në 12 centimetra dëborë, çka e bën lëvizjen e automjeteve të vështirë.

Rruga Boboshticë-Dardhë është e kalueshme me zinxhirë nga kilometri i 8 deri në hyrje të fshatit, ku trashësia e borës ka arritur në 10 centimetra. Akset e tjera nacionale që lidhin Korçën me qytetet e tjera janë të qarkullueshëm normalisht.

Po ashtu normalisht qarkullohet edhe në aksin Korçë-Voskopojë, ku ka reshje të lehta bore. Si pasojë e motit të keq kanë mbetur pa energji disa fshatra në njësitë administrative Vithkuq dhe Lekas të Bashkisë Korçë.

Përveç Dardhës, edhe në Valbonë, Qafën e Qarrit, dhe në Voskopojë ka pasur reshje bore, ku sipas ARRSH-ë, rrugët janë të hapura dhe qarkullimi vazhdon pa probleme.  Por drejtuesit e mjeteve duhet të jenë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë paralajmëron ARRSH.

Bashkia e Lezhës ka bërë të mundur pastrimin e gurëve dhe dherave në rrugën që mbrëmjen e së hënës bllokuan dhjetëra familje në Ungrej.

Raportohet se në orët e para të mëngjesit është bërë i mundur pastrimi i rrugës. Tashmë qarkullimi i mjeteve në atë aks vijon pa probleme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë