Muzike

Përmenden sulmet nga Hamasi, Izraeli pranon të ndryshojë tekstin e këngës për Eurovizion

Balada “October rain” që këndohet nga Eden Golan do të përfaqësojë Izraelin në Eurovizion por një debat i madh është hapur pasi në tekstin e këngës përfshihen sulmet e Hamasit në 7 tetor të 2023 dhe ushtarët Izraelitë që u vranë. Sipas kritikëve, balada ka në përmbajtje të saj mesazhe politike çka bie ndesh me rregullat e konkursit.

"Nuk ka mbetur ajër për të marrë frymë / Nuk ka vend për mua” dhe “Ata ishin të gjithë fëmijë të mirë, secili prej tyre”, është një pjesë e tekstit që i referohet sulmit.

Kjo çështje shkoi aq larg sa edhe Presidenti i Izraelit Isaac Herzog ndërhyri duke kërkuar që të bëhen rregullimet e nevojshme për të siguruar që Izraeli të marrë pjesë në konkurs.

Presion ka patur edhe nga disa vende evropiane që kanë mbrojtur përjashtimin e Izraelit nga konkursi nëse do të paraqitet me këngën e “October Rain”.

Pas thirrjeve nga organizatorët e festivalit të Eurovizionit për të ndryshuar tekstin e këngës me të cilën Izraeli pritet të përfaqësohet, autoritetet në Tel Aviv kanë rënë dakord për ta rishikuar atë.

Eurovizioni, i cili këtë vit do të zhvillohet në 7-11 Maj në qytetin suedez të Malmos, është një ngjarje jopolitike dhe organizatorët mund të skualifikojnë garuesit që shkelin këtë rregull.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë