Ka ndodhur

Përmbytjet, Meta: Institucionet të angazhohen për sigurinë e jetës dhe pronës në zonat problematike

Për situatën problematike të krijuar si pasojë e reshjeve të shiut ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta.

Në një postim në rrjetet sociale kreu i shtetit u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të angazhohen për sigurinë e jetës dhe të pronës në zonat problematike.

Ai thekson se autoritetet duhet të kishin njoftuar banorët në zonat me risk më të lartë.

“Problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm sipas IGJEUM, që prej ditësh ka njoftuar autoritetet shtetërore në lidhje me parashikimin e motit. Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, u bëj thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës”, shkruan presidenti Meta.

Sipas tij problematike situata paraqitet në qarkun e Fierit, Vlorës dhe në Veri, Veri-Lindje dhe Jug-Lindje të vendit.

“Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën kritike të krijuar, si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura dhe të bllokuar nga reshjet e borës.

Jam informuar se situata paraqitet më problematike në Qarkut e Fierit, sidomos në njësinë administrative Levan, fshatin Ferras, ku janë evakuuar 15 familje dhe qindra hektarë tokë bujqësore, ndodhen nën ujë.

Përmbytje të shumta ka edhe në Qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Mifolit ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore i kalon mbi 1200 hektarë, ndërkohë që shumë fshatra në Lumin e Vlorës rezultojnë të izoluara”.

Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, presidenti Meta shkruan se u bën “thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë