Gazeta Si – E diela, ka rezultuar një ditë aksidentesh në disa qytete të vendit, ku për pasojë një person humbi jetën dhe 10 të tjerë mbetën të plagosur.
Një autobus i linjës së Krrabës është aksidentuar pranë Pallatit të Brigadave rrugës drejt Saukut në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e “Elbasanit” rreth orës 15:45 dhe mësohet se deri më tani 3 persona kanë mbetur të plagosur.
Autobusi ka marrë para disa makina duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërkohë që nuk dihet akoma se çfarë e ka shkaktuar aksidentin.
Policia thotë se shtetasi G.Q., 42 vjeç, duke drejtuar autobusin e linjës së Krrabës, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e autobusit dhe si pasojë autobusi ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Si pasojë janë dëmtuar 3 shtetas, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Pas testit të alkoolit, drejtuesi i autobusit nuk ka rezultuar nën efektin e pijeve alkoolike.
Përpara oficereve të policisë, shoferi i autobusit, ka deklaruar se në momentin e aksidentit nuk është ndierë mirë e për pasojë ka humbur kontrollin. Vetëm pak javë më parë në Tiranë ndodhi një tjetër aksident i rëndë, ku urbani i linjës së Unazës humbi kontrollin duke marrë disa makina përpara dhe duke plagosur 9 persona.
Gjatë kësaj të diele, një person humbi jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e aksidenteve të ndodhura në Kurbin, Fushë Kruje dhe Durrës. Më i rëndi ishte aksidenti në aksin e vjetër rrugor Laç-Mamurras.
Rreth orës 05:50 të mëngjesit Alban Miloti i cili drejtonte mjetin tip “Volkswagen” ka humbur kontrollin dhe makina ka përfunduar përmbys në arë.
Për shkak të goditjes, shoferi nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve. Në këtë aksident mbeti i plagosur pasagjeri E.V.
Disa orë me vonë, një tjetër aksident u regjistrua në Fushë Krujë. Sipas policisë, tre mjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Ndërkohë, në Durrës, te mbikalimi i Plepave, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën e për pasojë tre persona mbetën të plagosur.
Shkak i aksidentit dyshohet se ka qenë shpejtësia dhe parakalimi gabuar. Të aksidentuarit janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.