Lojëra me Dore

Përleshje rekord në Nba, tre të përjashtuar vetëm pas 1 minute e gjysmë lojë

Gazeta Si – Tre lojtarë të përjashtuar pas vetëm një minute e gjysmë lojë. Ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në sfidën e Nba-së mes Golden Stejt dhe Minesotas. Përleshja u ndez nga një keqkuptim mes Klai Tompson dhe Jaden MekDaniels. Pas shtyrjeve dhe fanellave të grisura situata precipitoi me ndërhyrjen e shokëve të skuadrës.

Më agresivi ishte Drajmond Grin i Golden Stejt, i cili në kaos e sipër shtrëngoi prej fyti në mënyrë të rrezikshme francezin Rudi Gobert. Trajnerët dhe lojtarët vuajtën për t’ia hequr nga duart, para se arbitrat, pasi ripanë atë çfarë ndodhi, e përzunë nga fusha, bashkë me MekDaniels dhe Tompson.

Grin rrezikon një skualifikim të gjatë. Basketbollisti 33-vjeçar, 4 herë kampion në Nba, njihet për gjaknxehtësinë e tij. Edhe herë të tjera ai ka paguar për reagimet e tij impulsive. Prillin e kaluar u skualifikua me një ndeshje, pasi goditi një kundërshtar gjatë ndeshjes së ‘play-off’-it me Sakramenton.

Një vit më pari kishte goditur një shok skuadre në stërvitje, ndërsa në 2016-ën u ndëshkua për një faull të rëndë ndaj LeBron Xhejms.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë