Ngjarje

Përleshje me thika për një “shikim të ftohtë” mes të rinjve në Kamëz

Një sherr që nisi për një shikim të ftohtë dhe degjeneroi në përleshje me thika, derisa një nxënës në  vitin e katërt në Shkollën profesionale Kamëz, u godit  tetë herë me armën e ftohtë. Policia jep detaje për gazetën Si për ngjarjen që në vetvete nuk përmban asnjë motiv veçse atë të demonstrimit të muskujve mes adoleshentëve që vazhdojnë të përleshen e të grinden për influencë te bashkëmoshatarët. Të kthyera në modë në rrugët e kryeqytetit, adoleshentë dhe nxënës i zënë pritë njëri-tjetrit, pohon një burim policor i gazetës Si, pa asnjë motiv dhe pa asnjë mosmarrëveshje të mbartur.

Sipas burimeve zyrtare policore janë marrë në pyetje të gjithë të rinjtë që u përplasën në rrugën Bulevardi Blu në Kamëz, nga njëra anë Sh.D dhe shokët e tij dhe nga grupi tjetër shokët e E.D, ky i fundit me dëmtime të rënda trupore dhe që pasi kaloi vështirësinë për jetën u mor në pyetje nga policia e zonës. Të gjitha dëshmitë tetë adoleshentëve kundërshtarë të atypëratyshëm, u mbajtën shënim dhe në përfundim agjentët e krimeve shënuan në procesverbal se motiv ishte ose pështyma pa takt i një nxënësi të paedukuar, ose sedra e theksuar e palës tjetër që pa një shikim të ftohtë te disa të panjohur që po pinin kafe. Një copë herë të dy grupet pasi hodhën e pritën ftesën “ngjitu lart” dhe zbrit poshtë ti, u turrën pa një pa dy me grushte e thika në duar. Kjo ndodhi në Kamëz në bulevardin kryesor.

I dëmtuari tregon në polici për sherrin pa motiv

Jam nxënës në vitin e katërt, - nisi dëshminë e tij adoleshenti. Shkova për të pirë kafe te shoku im K.Gj që gjendej në qendër Kamëz. Po qëndronim në ballkonin e katit të dytë së bashku me R.B. Në këtë moment aty kaluan një grup të rinjsh që na kërkuan të shkonim poshtë.

I plagosuri tregon se si shoku i tij zbriti menjëherë poshtë lokalit në rrugë, por më tej grupi tjetër ka filluar ta godasë.

“Tentova t’i shtyja këta persona që nuk i njihja, njëri prej tyre më goditi me thikë disa herë në shpinë dhe në krah. Nuk e njoh dhe nuk e kam parë më herët”.

Policia tregon nga mbledhja e dëshmive se në sherrin masiv u përshinë të dyja grupet që filluan të goditen me grushte.

Një nxënës tjetër i thirrur në polici shton:

“Sapo dola nga shkolla dhe rrugës takova shokun tim Sh. K. Së bashku hymë tek fastfoodi. Më pas dolëm dhe takuam shokun tjetër Sh.D, i cili po shkonte për në shtëpi kështu që të tre u nisëm për në shtëpi. Duke pritur autobusin vura re shokun që hodhi sytë në ballkon në një objekt dykatësh ku ishin ulur disa persona. Ata i kërkuan të ngjitej sipër”, kujton adoleshenti i grupit tjetër.

Në dinamikën e asaj që tregon pala tjetër, meqenëse grupi i tyre nuk u ngjit sipër, grupi tjetër ka dalë në rrugë.

“Sh. nxori biçakun dhe tentoi të qëllojë njërin prej tyre. Më pas nga lokali zbritën të tjerë dhe filluan grushtet”.

Dëshmitarët tregojnë se në këtë moment një tjetër i ri është shkëputur dhe i është drejtuar të rinjve me levë hekuri, që i vihet në ndjekje të riut Sh dhe e godet në kokë.

Dëshmitari “për pasojë Shpresimi humbi ndjenjat”

Policia duke iu referuar pretendimeve të të dyja palëve që u grindën pa u njohur dhe pa asnjë shkak, policia thotë për gazetën Si se konflikti nisi për një shikim inatçor.

Dëshmitari e konfirmon këtë version sipas burimeve të gazetës Si “shkak i konfliktit ishte shikimi inatçor  që Sh . hodhi në drejtim të këtyre personave që gjendeshin në katin e dytë”.

I riu tjetër pa qenë në gjendje se si u gjend në vorbullën e grushteve kujton dhe aludon në polici “personat që po pinin kafe në ballkon, njëri prej tyre pështyu nga lart poshtë. Pështyma i ra afër Sh. Ata debatuan në distancë. Ky person që pështyu zbriti dhe filloi të debatonte pastaj gjithçka doli nga situata”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë