Interviste

“Përgjysmimi i tarifave do të rrëzojë ligjin e arsimit të lartë”

Sabina Veizaj - Klodi Leka i “Lëvizjes për Universitetin” me zë të ngjirur prej protestës së studentëve, e cila ka mbërritur në ditën e gjashtë të saj, flet për gazetën “Si”. Ai thotë se pavarësisht përçarjeve që janë përpjekur t’u bëjnë studentëve, lufta e tyre do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave që në thelb ka bërjen nul të ligjit të arsimit të lartë.

https://www.youtube.com/watch?v=DepYsanrV14

“Dënime nga dy muaj burg për gjuajtje me vezë ndaj Ramës. Tarifat janë ngritur për herë të fundit në 2014 dhe nuk janë ngritur më, se ka pasur revolta studentore. Kemi shkarkuar pedagogë të korruptuar te Fakulteti i Shkencave Sociale dhe kemi ndërmarrë aksion kundër Thanas Xhillarit që ka qenë ish-burri i Linda Ramës, i cili e ka 700 euro provimin tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Kemi marrë aksion kundër shitjes me detyrim të librave në fakultete, kemi organizuar pa fund tryeza, kemi organizuar dhjetëra protesta. Unë nuk jam këtu që të bëhem pronari i protestës, kryetari i protestës, thjesht unë dua të vë të gjithë dijen dhe përvojën time katërvjecare në funksion dhe në shërbim të protestës”, shprehet Klodi Leka për Gazetën “Si”.

Ai sqaron së fillimisht kanë qenë tre kërkesa; shfuqizimi i VKM-së, përgjysmimi i tarifave dhe përmirësimi i kushteve në konvikte. “Dy ditë më vonë u shtua dhe një kërkesë e katërt, krijimi i një komisioni midis këshillave studentorë, dekanateve dhe ekspertëve, që mua më duket budallallëk dhe i parealizueshëm. Pastaj janë bërë 8 pika ku kërkohet dhe reformimi i Akademisë së Shkencave. Mendoj që ulja e përgjysmimit të tarifave do ta vërë në krizë gjithë sistemin aktual arsimor, sepse ligji për arsimin e lartë është ngritur mbi rritjen e tarifave. Dhe nëqoftëse tarifat ulen, logjikisht bie dhe vetë ligji. Prandaj kjo protestë për mua nuk është dëshirë për vëmendje, por është realizimi i një ëndrre pesëvjecare. Për pesë vjet jemi rropatur rrugëve, fakulteteve, komisariateve e gjyqeve.”

Klodi Leka e thekson edhe një herë se protesta që po zhvillohet prej gjashtë ditësh nuk ka një shtab qendror, në kuptimin e organizimit. “Nuk ka një kryesi, ama ulja e tarifave që është këmbëngulur këtu, përmirësimi i jetës në konvikte dhe përmirësimi i kushteve në fakultet, do të ishte një hap pozitiv drejt edhe një diskutimi më të gjerë se si e duam Universitetin në Shqipëri.”


" Kryeministri i di kërkesat tona, i di hallet tona, thjesht t’i realizojë, është shumë e thjeshtë. S’kam asnjë lloj dëshire të rri as me kryeministrin, as me ministren, na ka ardhur në majë të hundës, të plotësojnë kërkesat dhe kaq!”

Pyetjes se a mblidhen pasditeve pasi përfundon protesta për përvijimin e saj, Klodi thotë se “thjesht diskutojmë çfarë do flasim, si do reagojmë në situata të caktuara, nëqoftëse dikush vjen e na qëllon, si të mbrohemi më mirë, si të mos shkaktojmë skandale.”
Ai tregon se kanë bërë vetëm një denoncim, por kanë shumë fakte. “Kemi dokumentuar gjithë personat e forumeve rinore që na ka kanë goditur edhe që kanë shkaktuar skandale, por nuk duam që të hapim skandal më të madh, duam që të jemi të bashkuar rreth “armikut tonë”, që siç e kam shkruar edhe në pankartë, janë tarifat. Edhe një studenti të forumeve i intereson që të ulen tarifat, sepse edhe vetë ai është student. Ne jemi kundër personave që janë me parti, vijnë e bëjnë komandën këtu”, thotë Klodi.

Të martën ai paralajmëron revoltën më të madhe dhe kulmimin e protestës së mbajtur këto ditë. “Duhet ta gjunjëzojmë si ministren, si kryeministrin për t’i realizuar kërkesat. Kryeministri i di kërkesat tona, i di hallet tona, thjesht t’i realizojë, është shumë e thjeshtë. S’kam asnjë lloj dëshire të rri as me kryeministrin, as me ministren, na ka ardhur në majë të hundës, të plotësojnë kërkesat dhe kaq!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë