Mentor Kasa – Trafiku i rënduar duket se e ndaloi Xhisiela Malokun që të mbante “një premtim të dhënë” për Rexhep Rrajan në ambientet e Prokurorisë së Krujës. 25-vjeçarja e vendosur prej ditësh në qendër të vëmendjes mediatike e politike deklaroi shkurtimisht para mediave se djali i deputetit që akuzoi për dhunë është i pafajshëm.
“Kam ardhur për ta mbështetur. Është i pafajshëm”, ka deklaruar ajo.
Xhisiela thotë se ruan kontaktet dhe marrëdhëniet shoqërore me ish të dashurin e saj, i cili akuzohet për “përndjekje”. Apeli vendosi ta lerë po në qeli, ashtu si Shkalla e Parë në Krujë. Avokati i Rexhep Rrajës thotë se klienti i tij nuk ka kryer veprën penale të përndjekjes dhe se gjithçka është një sajesë “rozë” e nisur nga xhelozia.
Por, prokuroria mendon ndryshe dhe si provë të fortë ka një përgjim ambiental të realizuar më 29 shtator në ambientet e prokurorisë së Krujës më 29 shtator, një ditë para se të arrestohej Rexhep Rraja.
Në transkriptimin e përgjimit nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, Rexhep Rraja dhe Xhisiela Maloku diskutojnë mes tyre herë me tone të larta, e herë me zë të ulët. Pikërisht përmbajtja e bisedës për Prokurorinë është e mjaftueshme që Rraja të akuzohet për “përndjekje”.
Por, po në këtë përgjim, Xhisiela Maloku pranon pjesërisht dëshminë e parë, ndërsa Rraja e pranon që ka ushtruar dhunë ndaj Xhisielës, por i kërkon llogari se përse ka gënjyer në dëshminë e parë duke thënë se kishte edhe pistoletë.
“E pranoj që të kam goditur në hotel, por pistoletë nuk kisha. Ti e shpike”, i thotë ai, duke e këshilluar që të mos flasë shumë para prokurores.
Xhisiela i premton se do ta gënjëje prokuroren në vazhdim në mënyrë që të mos e marri më në pyetje.
“Ç’ke ti, se unë nuk do të flas më për dhunën, nuk do i tregoj gjë asaj. Kam për ta gënjyer atë se më ka çmendur, më kërkon shumë dhe këmbëngul, çfarë t’i bëj”, thotë ajo.
Nga përgjimi kuptohet se deputeti Rrahman Rraja nuk e kishte miratuar lidhjen e djalit të tij dhe ishte kundër saj, ndërsa Xhisiela i kërkon llogari për dëshminë e dhënë të Rexhepit, që fliste për një lidhje tjetër dhe se e gjitha padia ndaj tij ishte ngritur për shkaqe xhelozie.
“Të jepte urdhër yt atë ty mos u merr me mua, e ti vazhdoje merreshe fshehurazi me mua”, thotë Xhisiela.
“Dhuna” mes ish-çiftit duket se ka qenë normale dhe kjo konfirmohet nga vetë Xhisiela.
“Sa herë jemi rrahur ne? Ne jemi rrah 100 herë. Ça do të bësh, do të më denoncosh tani?!”, i drejtohet ajo.
Të rinjtë flasin me njëri-tjetrin pa shpengim dhe kjo duket nga fjalori i përdorur, ku nuk mungojnë fjalët banale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.