Dosje

Përgjimet / Të gjithë ‘kokat’ e krimit kundër vëllezërve Bami! Bisedat mes Shullazit (nga burgu), Martinajt dhe Ndokës: Si ta kapim e ta rrjepim!

Gazeta Si - Plani për të vrarë vëllezërit Durim dhe Valter Bami, ka bërë bashkë grupet kriminale më të fuqishme dhe më të rrezikshme në vend.

Madje të përfshirë në tentativën e eliminimit të tyre fizik, ka persona që vuajnë dënime në burg për vepra të ndryshme penale.

Sipas burimeve, që i referohen dosjes hetimore të SPAK, plani për vrasjen e vëllezërve Bami u përgatit si shenjë hakmarrje për vrasjen Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, krim i ndodhur më 9 dhjetor 2017.

Në bazë të bisedave të realizuara në aplikacionin “SkyECC”, është zbuluar se “mbreti i lojërave të fatit”, Ervis Martinaj (i zhdukur prej gushtit 2022), ka pasur rolin e financuesit, sigurimit të logjistikës dhe informacioneve për lokalizimin e dy vëllezërve.

Ndërsa ish-deputeti i PS-së, Arben Ndoka, ka pasur rolin e financuesit, porositësit për vrasjen e tyre, duke kontraktuar shtetasit Gentian Bejtja, Naim Stafuka, Arben Mërkuri, Aldo Avdyli dhe lidhjet e tyre.

Ndërsa Emiljano Shullazi, i cili ndodhet i dënuar në burg, ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve në lidhje me lokalizimin e tyre, si edhe informimin e shtetasit Arben Ndoka në lidhje me këto informacione.

Gjithnjë sipas burimeve, dyshohet se Ndoka kishte gjetur vrasës me pagesë, me të cilët kishte diskutuar për shifra nga 100 deri në 600 mijë euro për vrasjen e vëllezërve Bami, para të cilët do t’i siguronte Ervis Martinaj.

Në lojë është futur dhe Behar Bajri, i cili duke shfrytëzuar njohjen me Durim Bamin, i propozon Arben Ndokës që ta thërrasë për vizitë në shtëpinë e tij në Shkodër dhe më pas aty t’i ekzekutojnë.

Të përfshirë në lokalizimin e vëllezërve Bami për eliminimin e tyre, kanë qenë edhe dhëndrri i Ndokës, Arian tku dhe nipi i tij, Samuel Ndoka.

Shullazi nga qelia, me Marklen Hakën: Si t’ia bëjmë me e kap e me e rrjep...

Sipas SPAK, në bisedën e zhvilluar mes Emiljano Shullazit, nga qelia, me një nga emrat e shumëpërfolur në botën e krimit, Marklen Haka, i tregon se Durim Bami i kishte dërguar haber ish-deputetit socialist që “të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë”.

Por, në vazhdim të bisedës, Emiljano Shullazi, pasi Marklen Haka i jep informacion mbi lëvizjet e Durim Bamit, i drejtohet që “si t’ja bëjmë me e kap k*rvën, me e rrjep, me e torturu”, duke shtuar se “nuk ka blind (makinë) që e ruan”.

“Më datë 06.03.2020, shtetasi Emiljano Shullazi komunikon me shtetasin Marklen Haka të cilit i tregon që …Ai Duri (Durim Bami) ishte ka cuar haber atij Nokës (Arben Ndoka) që të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë. Në vazhdimësi dyshohet që shtetasi Marklen Haka i jep informacion në lidhje me automjetet dhe lëvizjet që kryen Durim Bami pasi përmendin automjetin e blinduar. Emiljano Shullazi i shkruan, …si tja bëjmë ma e kap kurvën….ma e rrjep ma e torturu, ishalla ta mbysin fort. Se tani ska blind që e ruan”, thuhet në dosjen hetimore.

Martinaj, Arben Ndokës: T’i nis dy çuna me motor?

Në një komunikim që ata kanë pasur me njëri-tjetrin në vitin 2020, Ervis Martinaj i ka shkruar se nga informacionet e tij, Durim Bami ndodhej në Ksamil. Martinaj i kërkon më tepër detaje për adresën, dhe e pyet nëse do që t’i dërgojë “çunat e tij”.

“Me cilin është k*rva, pa këto çerrat? A dihet adresa e saktë? Ti nis me motorr 2 çuna? Makinë me ik atje thu? Me targa koti, a ikin dot? Ta jap unë audin, është super makinë, 270 në orë ecën. Marrin e targa rezervë ndoshta e s’kanë nevojë me e djeg fare. Gati e kam, është e vjedhme…gati e ke Audin. Nuk kam kë çoj se i kam të zanë, ço njeriun tat, që ësht shok me këto çunat, me i mar shkoj unë i marr, nqs duhet, po kryn punë, Audin e ke gati, në Mamurras në autostradë, s’ka kamera. Çelesi i audit është sipër gomës mrapa”, i shkruan ndër të tjera Martinaj, ndërsa Arben Ndoka i përgjigjet duke i thënë se në orën 6 të mëngjesit do të shkojë dikush për të marrë makinën.

Shullazi komunikon me Ndokën: Shohim mos po i vjen ora!

Më 6 mars 2020 Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndoka dhe ndër të tjera i jep informacion në lidhje me lëvizjet që kryen Durim Bami me qëllim që Arbeni, të marrë masa për vrasjen e tij.

“...po më thon tani qe rrin aty tek Oxhaku shumë, dhe del edhe pa blind, tek lokal “Artisti” dhe më shumë se 20 minuta nuk rrin. Rrin me çunin e xhajës së vet, atë Kocin (Gentian Koci) dhe Ervin Kodra nga Tapiza. Është fol me nja dy veta dhe ishalla e bëjnë (e vrasin). Don terezi ai mut se del një ditë dhe rrin një javë pa dalë, shofim mos po i vjen ora. Unë jam tek cili variant të dali më para, vetëm të iki. Se do dalin të gjitha pastaj, kush ka dhënë dhe kush ka gjuajtur. I flet Valteri të gjitha pastaj sa ti thuash e ke radhën ti...”.

Shullazi dhe informatori për vrasjen e Bamit

Sipas dosjes hetimore, burimet thonë se pasi flet me informatorin e tij, duke deklaruar se kishte parë Durim Bamin duke lëvizur me një Range Rover, Emiljano Shullazi i thotë se duhet ta kapin dhe ta vrasin, e të mos presin më.

“Kape **** r***, mos ja zgjat, se jam ktu dhe robt që janë jashtë me fol kuptohet dhe e kanë pak problem me ardh në Nikël dhe me mbaru punë. Ky legeni që është këtë në burg Rraja, (Redjan Rraja) thotrëb që Duri është më i fuqishmi aty, i bën reklamë”, i thotë Shullazi informatorit të tij.

Tentativa e dështuar e vrasjes së Durim Bamit

Në muajin nëntor 2020, grupi arrin të lokalizojë Durim Bamin, duke lëvizur në fshatin Qerek me një “Range-Rover”, ku në sediljen e pasagjerit ishte kushëriri i tij, Dorian Kodra.

Por Vis Martinaj dhe grupi i tij nuk kishin marrë informacionin se pas makinës së Durim Bamit, ishte dhe një automjet Benz-Mercedez që qëndronin të armatosur "ushtarët" e Bamit.

Në momentin kur Tori Xheçuka dhe Florenc Kelmendi, kanë qëlluar drejt Durim Bamit, ata rezulton të kenë rënë në zjarrin e makinës tjetër. Një shkëmbim breshërish kallashnikovi mes dy palëve, që fati i ka shpëtuar pa viktima.

Tori Xheçukës, i janë mbaruar plumbat dhe më pas ka rrëmbyer kallashnikovin e Florenc Këlmendit, i cili ndodhej në makinë dhe bërtiste “…na vranë… na vranë…”.

Ndërsa Durim Bami është larguar me shpejtësi duke mos pësuar asnjë dëmtim. I plagosur lehtë ka mbetur vetëm kushëriri i tij, Kodra.

Megaoperacioni i SPAK-ut

Për shkak të përpjekjeve të shumta për të vrarë Durim Bamin, SPAK ka ngritur akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” ndaj ish-deputetit të PS Arben Ndoka, dhëndrit të tij Arian Tuku, nipit të tij Samuel Ndoka, Ervis Martinaj, Astrit Avdyli, nipit të tij Aldo Avdyli, Jozi Kraja, Elvis Ndreca, Naim Stafuka, Emiljano Shullazi, Blerim Abazi, Gjin Ndoj, Marklen Haka.

Këta persona u zbuluan se kishin komunikime në aplikacionet e koduara me personazhe të tjerë të njohur të botës së krimit, edhe pse ishin në qeli.

SPAK i akuzon ata se janë të përfshirë në ngjarje kriminale përgjatë vitit 2020 në bashkëpunim me personazhe të tjerë, për organizime atentatesh.

SPAK-u goditi 7 grupe kriminale dhe lëshoi 50 urdhër-arreste, nga të cilat 20 vetë u arrestusan, ndërsa 30 të tjerë janë shpallur në kërkim. Nga 20 të arrestuarit, 14 ishin në Shqipëri ndërsa 6 të tjerë u kapën në disa shtete të Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë