Dosje

Përgjimet / ‘Plaku punon në SHIK’, lojërat e fatit në lokalin e djalit zbuluan ish-kreun e SHISH në Berat

Gazeta Si – Hetimet për lojërat e fatit në Berat, zbuluan se si ish-drejtori i SHISH, mbante të dhëna të klasifikuara në mënyrë të jashtëligjshme, edhe pse kishte dy vjet që ishte larguar nga detyra.

Sipas Top Channel, mësohet se në një USB, ish-drejtori i SHISH, Aleksandër Shulla kishte kopjuar të dhëna mbi automjetet dhe sistemin e gjendjes civile të vitit 2008.

Kjo USB, u zbulua gjatë kontrollit për lojërat e fatit të të birit, ku përmbante edhe të dhëna të kategorizuara si të dhëna për policinë kriminale të tetorit 2008 dhe departamentit të hetimit kundër krimeve të rënda dhe database për automjetet.

Në dosjen që ka në dorë prokuroria, janë zbardhur edhe bisedat e djalit të drejtorit të SHISH, Pandeli Shulla, i cili në një komunikim me një person tjetër për lojërat e fatit, thotë: “Ka lëvizje nga bixhozi”. Ndërsa personi tjetër, ia kthen: “Për bizhozin shqiptarët…”, – dhe Shulla i thotë, “bixhoz dhe drogë”.

Në një bisedë tjetër, Pandeli Shulla thotë i “punon plaku në SHIK… është drejtor, jo në terren”, – referuar të babait të tij.

Bashkëbiseduesi i thotë, “prandaj mban lokal me lojëra fati ti”, dhe Pandeli Shulla ia kthen: “Po pse ça e di ti, duhet një çik korrupsion brenda familjes”.

Aleksandër Shulla akuzohet gjithashtu për mbajtjen pa leje të municioneve luftarake, ndërsa djali i tij, Pandeli Shulla akuzohet për organizimin dhe ushtrimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin. Babë e bir nuk janë arrestuar, por po hetohen në gjendje të lirë nga Prokuroria e Beratit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë