Dosje

Përgjimet / Oficeri Igli Haxhiaj spiunonte te trafikantët e drogës për 15 mijë euro: Nuk është gjobë vlla!

Gazeta Si – Igli Haxhiaj, oficer i Antiterrorit, dyshohet të ketë qenë pjesë e një prej grupeve më të mëdha kriminale shqiptare me shtrirje në Evropë, e angazhuar në trafikun ndëkombëtar të drogës.

Sipas hetimeve, dyshohet se ai ka dhënë informacione sekrete mbi lëvizjet e policisë, grupit kriminal të Visit të Pojës, në këmbim të përfitimeve financiare.

Në dosjen hetimore të SPAK, janë publikuar biseda të shumta të tij në “Sky ECC” mes Haxhiajt dhe Denis Myftiut, i shpallur në kërkim, ku flitet për pazaret e dhënies së informacioneve.

Interesant është fakti që Igli Haxhiaj nuk i kërkon para në këmbim të informacioneve vetëm për vete, por edhe për 2 të tjerë, 15 mijë euro, nga 5 për secilin.

“Vlla kjo punë ka një kosto dhe po deshe ok po s’deshe ti e di….. që të të ndihmoj dhe ke për ti pa gjojnat vlla. Jemi 3 veta nga 5 mijë vlla. Une kam burrëri dhe të tregoj gjithçka, por duhet ti me bashkëpunu dhe mos lon me dyshu që nga e ke marr vesh. Jo, kjo nuk është gjob, o vlla, miq jemi me të gjithë. Kur mendon gjobën, je gabim, se gjoba nuk vihet mes shokësh. Por do e bëjmë rastësisht, dmth që ti e vërteton dhe mos biesh në sy nga e more vesh”, shkruan Haxhiaj.

Në komunikimet në vijim ai e informon Denis Myftiun se vetë ai dhe e gjithë familja janë në përgjim dhe duhet të bëjnë kujdes se çfarë flasin.

Ky informacion është dhënë si dhuratë, por sipas burimeve, në vijim Haxhiaj i thotë se çdo informacion që do t’i kërkohej do të paguhej.

“Ti, Nusja, Nona jote, Asti, i keni telefonat ne pergjim dhe bej kujdes kur flet. Nqs do info te tjera bojn lek, kalofsh sa me mire vlla, te rujt Zoti, kjo ishte vetem per shoket, dhurat, noten, kjo nuk eshte gjob, e ke gabim. Nje informacion kudrejt nje pagese, po varja, kaq sa te thashe e ke dhurate nga shoket, kalofsh mire vlla”, i shkruan Haxhiaj.

Në një bisedë me një person tjetër, që duket se ishte mik i përbahskët mes Haxhiajt dhe Myftiut, ish-oficeri i shkruan se do t’i thotë kam një informacion dhe e shes, e do apo jo? Në të kundërt, nëse ai refuzon, ish-oficeri i thotë se nuk ka për çfarë të takohet me Myftiun.

SPAK ka dyshime se Igli Haxhiaj është përfshirë edhe trafikun e drogës. Atij i janë gjetur në “SkyECC” edhe biseda më përdorues të tjerë, me të cilët flet për shitje dhe transport droge.

Igli Haxhiaj: Vlla si e ke punen andej… A ke noi mall te mire me çmim?

Igli Haxhiaj: Kuptoj file… Ca cmimi.. A eshte e mire?… Me lek ne dore se pa lek sdua une… A eshte e mire di gje?

Igli Haxhiaj : Merri nja 2 grame, po pres dhe kete me 37, tja blej ta provoj se mund te me duhen 2.

Në përgjithësi bisedat konstatojnë në gjendjen e mallit të mirë dhe të pastër (kokainë), ndërsa kërkohet dhe dërgimi i fotove për të parë cilësinë.

Në një episod, Haxhiaj i kërkon një tjetër personi mundësimin e futjes në Shqipëri futjen e 4-5 copë (referuar pakove të kokainës) për llogari të tij.

Në një nga komunikimet me një anëtar të grupit kriminal, ata kanë shkëmbyer edhe foto, ku shihet “malli” me mbishkrime të ndryshme, si “111”, “BEBE”, “CR7”, “UGO”, etj.

Ndërkohë, Denis Myftiu, që vijon të jetë në kërkim nga SPAK, është marrë me organizimin e trafikut të kokainës dhe heroinës nga Shqipëria në Itali.

Në vendin fqinj, konkretisht në Bergamo, ka bashkëpunuar me Saimir Barotin, i cili po ashtu dyshohet i përfshirë edhe në transferimin e parave të drogës që shitej në Itali dhe jo vetëm, pasi i dërgonte nga Zvicra përmes sistemit “Hawala”.

Këtu del në pah një strukturë e tërë e transferimeve, i cili menaxhohej nga Tirana nga Ervis Ferizaj, i cili sipas burimeve hetimore, kishte mundur të krijonte lidhje bashkëpunimi me agjenci të transfertave të parave në Zvicër, të cilat merrnin 6% fitim. Ferizaj dyshohet të jetë edhe pjesë e trafikut të drogës po ashtu.

Igli Haxhiaj, i cili së fundmi ishte transferuar te Drejtoria e Antiterrorit, është lënë në burg nga GJKKO këtë të premte, edhe pse para togave të zeza pretendoi se nuk ka qenë pjesë e grupit të Visit të Pojës dhe as nuk ka komunikuar me ta.

Polici, i cili akuzohet për “korrupsion, shpërdorim detyre e nxjerrje të sekretit hetimor”, thotë se i kanë përdorur emrin dhe se nuk ka pasur kurrë llogari në aplikacionin SkyECC.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë