Gazeta Si – Trafikantët shqiptarë të drogës që e merrnin lëndën narkotike nga Lindja dhe e transportonin në fillim në Shqipëri e më pas në vendet e BE, kanë pasur një rol të rëndësishëm.
Këtë të mërkurë, Gjykata e Posaçme lë në fuqi masat e sigurimit të dhëna në mungesë për grupin e arrestuar për trafik droge nga vendet e Lindjes së Mesme.
19 prej tyre janë lënë në arrest me burg, ndërsa një tjetër në arrest shtëpie. Ndërkohë qëndron i shpallur në kërkim një person tjetër.
Sipas asaj që zbulohet nga dosja hetimore e SPAK-ut në operacionin “Coast to Coast”, ata kanë rënë në rrjetën e përgjimeve telefonike dhe ambientale.
Falë këtyre metopdave, oficerët shqiptarë dhe ata të Eurijust, kanë zbuluar se trafiku kryhej përmes kamionëve.
Në shumicën e episodeve të zbardhura nga bisedat mes anëtarëve të grupit, bie në sy fakti se droga quhet “vezë” dhe se trafikantët përdorin këtë term mes njëri-tjetrit kur flasin për oraret e kalimit, sasinë apo vendin ku është fshehur. I tillë është ky episod i zbardhur nga biseda mes shtetasit Artur Sulajt dhe Besnik Ruçit.
Artur Sulaj: Ku je ti, te kafja?
Besnik Ruçi: Unë këtu jam, i mora vezët unë, i do vezët?
Artur Sulaj: Po mirë, jo jo, mos i merr vezët se iku!
Besnik Ruçi: Po s’ja çoj dot unë?
Artur Sulaj: Po ja ta marr… po qe aty
Besnik Ruçi: Po, merre e më thuaj.
Në dosjen hetimore jepen bisedat e transkriptuara mes shtetasit Shpëtim Pjeshka, trafikant dhe punonjësve të policisë që e ndalojnë për kontroll në doganë.
Polici 1: Çfarë ke futur aty, ëëë, çfarë ke futur.
Polici 2: Çfarë janë këto pako?
Shpëtim Pjeshka: M*t, m*t kam futur
Polici 1: M*t???
Shpëtim Pjeshka: Ëhëëëë!
Polici 2: O Nadir, prangat, prangat!
Polici 1: Ulu poshtë, ulu!
Polici 2: Hajde, ec se të ndihmoj unë!
Shpëtim Pjeshka: Ah të q**sha robt!
Polici 2: E pe skanerin Berti?
Polici 1: Nuk!
Polici 2: Si nuk mor shoku, këto janë 100 kile?!
Polici 1: Sa kile janë?
Shpëtim Pjeshka: 15…
Polici 1: Po mirë!
Në këtë moment njëri nga punonjësit e policisë njofton me telefon eprorin e tij, ku e vë në dijeni për sasinë e drogës së kapur nga skaneri brenda kroskotit të kamionit, në një pjesë të modifikuar të tij. Efektivi i komunikon eprorit se bëhet fjalë për një ngarkesë heroine.
Në një tjetër bisedë, dy trafikantë i pret një person i tretë i paidentifikuar, i cili u sjell lekët në këmbim të “mallit”.
I paidentifikuar: Për sa Jeni gati? Mos u vono shumë!
Shpëtim Pjeshka: Dhjetë minuta.
Artan Agalliu: Dhjetë minuta,
I paidentifikuar: Dhjetë minuta. ok të të sjell leket që tani?
Artan Agalliu: Po silli.
I paidentifikuar: Ke dyzet
Artan Agalliu: Saaa?
I paidentifikuar: Dyzet
Një aksion i përbashkët i autoriteteve shqiptare dhe italiane goditi një grup prej 21 personash që trafikonin lëndë narkotike nga Siria, Turqia dhe Amerika Latine drejt vendeve të BE-së, nëpërmjet vendit tonë.
Droga transportohej përmes kamionëve, në të cilët ishte përshtatur një vend ku as skaneri nuk e zbulonte. Në mesin e të ndaluarve është edhe një efektiv policie, i dyshuar për korrupsion.
Sekuestrimet e lëndëve narkotike janë kryer në Shqipëri, në 8 raste “Kokainë”, “Heroinë”, “Marijuanë”, “Risinë”, “Canabis Sativa”.
Ndërsa 3 raste të tjera në Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe Itali. Sipas Prokurorisë se Posaçme, nëse droga e sekuestruar do të dilte në treg, ajo do të kapte vlerën e 2.7 milionë eurove.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.