Dosje

Përgjimet / Agjencia italiane private e investigimit, akses në databazën e policisë shqiptare nëpërmjet një ish-polici

Gazeta Si - Një ish-polic shqiptar, Artimond Jaupaj, i cili drejtonte një agjenci investigative afër Milanos, dyshohet të ketë bashkëpunuar me administratorin e një agjencie private investigative në Itali, e cila po hetohet se ka arritur të depërtojë në informacione sekrete të policisë, si dhe tek informacionet që lidhen me dosjet penale të qytetarëve, me qëllim shantazhimin.

Mediat italiane raportojnë se agjencia italiane private e investigimit "Equalize" kishte akses dhe në databazën e policisë shqiptare, ku ndërmjetës ishte pikërish ish-polici shqiptar, i cili bshkëpunonte me Carmine Gallo-n.

Gazeta "Corriere della Sera", shkruan se si Italia, ashtu dhe Shqipëria janë të detyruara të pranojnë se baza e të dhënave të policive të tyre është e depërtueshme nga agjencia private e investigimit “Equalize” në Itali.

Kjo e fundit i përket presidentit të fondacionit “Fiera Milano”, Enrico Pazzali dhe që administrohej nga ish-superpolici, Carmine Gallo, i arrestuar dhe në hetim për këtë skandal në Itali.

Depërtimi në sistemin e databazës në Shqipëri, vërtetohet edhe sipas disa nga përgjimet më të fundit: ato, që datojnë pak para arrestimit të Gallos, midis tij dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij më operativ, ish-policit shqiptar 50-vjeçar, Artimond Jaupaj, banues afër Varezes.

Mediat italiane, kanë publikuar përgjimet mes Gallos dhe Jaupajt. Në vitin 2022, ishte Jaupaj ai që drejtoi “6-7 pjesëtarë në dy skuadra” të angazhuar për të ndjekur dhe përgjuar në mënyrë të paligjshme në restorant bankierin e “Jp Morgan”, Alessandro Gatto.

Dhe është sërish ai personi me të cilin, më 11 shtator, Gallo i dërgon me një email “emrat e 4 shqiptarëve”, duke iu drejtuar: “Mund të më thuash nëse kanë lidhje me krimin e organizuar shqiptar?”.

“Sigurisht, - i thotë Jaupaj, - shumë mirë, tani do t’ia dërgoj kontakteve të mia në Shqipëri, do t’i them: ‘A mund të bëni një verifikim për këta emra?’. Ata do të hyjnë në sistem (…), ku shfaqet gjithçka që kanë pasur në...”.

Gallo e falënderon Jaupajn dhe i bën të qartë se do ta paguajë shërbimin, “pastaj unë dhe ti do të jemi në rregull, mirë?”.

Një bisedë “veçanërisht interesante”, - raportojnë karabinierët e Varezes te prokurori Francesco De Tommasi, - për të kuptuar, “mundësitë e nxjerrjes së të dhënave nga bazat e të dhënave të policisë në Shqipëri”.

Prej disa javësh në Itali kanë nisur hetimet për këtë agjenci private, e cila kishte arritur të kishte akses në databaza kryesore italiane, duke përfshirë këtu Policinë, Drejtorinë e Tatimeve, si dhe politikanë të ndryshëm, përfshirë dhe kryeministren Giorgia Meloni. Madje, kjo agjenci ka hakeruar edhe e-mailin e Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella.

Mediat italiane, theksojnë se të paktën 767 njerëz u “zbuluan nëpërmjet ekfiltrimit të bazave të të dhënave strategjike kombëtare nga grupi” i agjencisë hetimore “Equalize srl”, i udhëhequr operativisht nga ish-polici italian, Carmine Gallo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë