Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ndodhur në atë që njihet si “Mbikalimi i Shkozetit” në Durrës. Ndaj prokurorit u qëllua më 1 nëntor 2019 teksa po udhëtonte në një automjet me shoferin e tij dhe me shtetasin Landi Muharremi, njohur edhe si “Rrumi” dhe me precedentë të theksuar kriminalë.
Pas këtij atentati, Gazeta “Si” solli materiale ekskluzive përmes të cilave kuptohej qartë se bëhej fjalë për një atentat të stilit mafioz, ku të përfshirë kanë qenë një grup personash. Megjithatë, në përfundim të hetimeve, SPAK ka marrë të akuzuar vetëm dy persona. Bëhet fjalë për Redjan Rrajën dhe Arjol Halilajn.
LEXO EDHE:
Kronologjia e krimeve që "rastësisht" të çojnë te Gjiri i Lalëzit
Në Shkafanë dhe Nikël, në gjurmët e atentatorëve të prokurorit Ndoja
Motivet e ngjarjes pritet që të bëhen publike gjatë procesit gjyqësor, që fillon nga dita e hënë. Por, dyshimet e forta janë se atentati lidhet me pronat në Gjirin e Lalëzit, ku Arjan Ndoja ka hetuar disa përplasje për pronësinë e tyre.
Pak javë pas ngjarjes, Gazeta “Si” kontaktoi me anëtarë të grupit të hetimit që konfirmuan në atë kohë se kanë si pistë hetimi kryesore atentatin me motiv zotërimin e pronave në bregdetin e Durrësit dhe se në të kishin marrë pjesë të paktën tre persona. Hetuesit i thanë gazetës “Si” se pas atentatit, pasi braktisën makinën me të cilën kryen krimin vrasësit u larguan me një ‘Benz’ të bardhë, targat e të cilit ishin të vjedhura”. Kamerat e sigurisë tregojnë se autorët u larguan nga fshati Shkafanë me një makinë tjetër. Ata nga burimet operative kanë zbuluar se tre autorët dhe “ndihmësshoferi” , janë kthyer mbrapsht, duke lënë të padëmtuar automjetin e krimit.
Burime të sigurta të policisë i treguan gazetës “Si” se pas atentatit të dështuar, autorët kishin zgjedhur një xhep rruge në Shkafanë me idenë se aty do të digjnin makinën. Së paku, kjo është përshtypja që iu është krijuar ekspertëve gjatë rikëqyrjeve dhe veprimeve hetimore, por edhe përgjigjeve të marra nga laboratori i kriminalistikës.
Tokat e Gjirit të Lalëzit
Por a mund të ketë lidhje atentati me çështjen e tokave në Gjirin e Lalëzit? Gazeta “Si” mëson se prokurorët që prej fillimit kanë pasur dyshime për këtë pistë. Për shkak se prokurori Ndoja dhe “Rrumi” hamendësohet mund të kenë lidhje me disa lëvizjet për pronësi tokash në Gjirin e Lalëzit, SPAK dhe policia zbarkoi edhe në Gjykatën e Durrësit për të parë nëse ka pasur, apo jo procese gjyqësore për një tokë rreth 200 hektarët, për të cilën gjatë betejës gjyqësore ngeli i vrarë pas një atentati me bombë në makinën e tij edhe gjyqtari Skerdilajd Konomi.
Ka dyshime paraprake se të dyja palët kundërshtare që pretendojnë për tokën që njeh një luftë të madhe gjyqësore, gjenden sërish përballë në Gjykatën e Durrësit. Madje, javën e kaluar ka pasur edhe proces gjyqësor ku kërkohet regjistrimi i dhjetëra hektarëve në favor të njërës palë. Një burim pranë Gjykatës së Durrësit i tregoi në atë kohë gazetës “Si” se seanca e fundit gjyqësore u zhvillua pikërisht një ditë para atentatit dhe pala e paditur janë të afërm të gjyqtarit të Vlorës . Ky fakt me shumë mundësi mund të shpjegojë se përse në makinën e prokurorit Ndoja gjendej dosja e fotokopjuar e çështjes së tokave, për të cilat ishte angazhuar më herët edhe gjyqtari vlonjat Skerdilajd Konomi. Dyshimet e ekspertëve të hetimit janë që “me shumë mundësi përmes studios së bashkëshortes prokurori mund të ketë ofruar ndihmë për këtë çështje”, që gjithsesi mbetet ende një dyshim.
“Dosja Konomi në makinën e Ndojës”: E vjedhur nga posta
Ndër dokumentat e gjetura në makinën ku iu bë atenat prokurorit Arjan Ndoja u gjet edhe dosja e pronave të Gjirit të Lalëzit, e vjedhur nga kasaforta e Prokurorisë së Durrësit një vit më parë, si dhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite më parë në Vlorë, Skerdilajd Konomi.
Burimet thanë për Gazetën Si se pista kryesore e hetimit është pikërisht një konflikt për tokat e pretenduar nga familja e viktimës, ku disa kohë më parë është bërë një transaksion i dyshimtë në hipotekën e Durrësit në favor të një organizate kriminale, çka mendohet se ka çuar edhe në konfliktin mes prokurorit dhe drejtuesit të ri të hipotekës që kishte rënë në gjurmët e këtij transaksioni”.
Në vitin 2018 në Prokurorinë e Durrësit ndodhi një grabitje e dokumenteve nga persona të paidentifikuar, të cilët morën serverin, ku dyshohet se ishin dokumente që lidheshin me problemin e pronave në Gjirin e Lalzit.
Drejtori i Postës në Durrës ishte vellai i Aleksandër Lahos (Landi Muharremi), apo njohur shkurtimisht si “Rrumi” dhe “i forti i Sukthit” dhe personi me precedentë penalë që ndodhej në makinë me prokurorin Ndoja gjatë atentatit. Veç serverit të prokurorisë së Durrësit, u vodh dhe posta e prokurorisë, ku dyshohej se dokumentet që ndodheshin aty lidheshin pikërisht me dosjen e pronave. Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari paralajmëronte pas atenatit se në dosje do të dalin të lidhura edhe çështje te tjera, përfshirë edhe vrasjen e gjykatësit Skerdilajd Konomi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.